Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka promovuar librin e tij më të ri me titull “Konvergjenca ekonomike e Kosovës me Bashkimin Evropian”, një botim që trajton në mënyrë të thelluar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit ekonomik të vendit në raport me standardet evropiane.
Në këtë vepër, Mustafa sjell një analizë të gjerë mbi procesin e afrimit të ekonomisë së Kosovës me Bashkimi Evropian.
Mustafa foli për motivin për të trajtuar çështjen e ekonomisë në këtë libër.
“Desha t’ju them se motivi kryesor i imi për t’u marrë me këtë çështje nuk ka qenë vetëm motivi akademik, por ka qenë edhe një ndjenjë përgjegjësie, edhe mendimet e vazhdueshme për përsëritjen e historisë në zhvillimin tonë ekonomik, për atë që quhet sindroma e të qenit i fundit në një sistem më pak të zhvilluar dhe në një sistem tjetër të fundit në zhvillim. Prandaj, pikërisht për këtë dilemë, e kam parë të domosdoshme që të përkushtohem në analizën e konvergjencës ekonomike të Kosovës, jo vetëm nga pikëpamja ekonomike, por edhe nga pikëpamja e reflektimit të shoqërisë sonë mbi rrugën që ne kemi zgjedhur si shoqëri në zhvillimin ekonomik dhe lidhur me masat që duhet të ndërmarrim që të dalim nga ky cikël në të cilin tani ndodhemi”, tha ai.
Ndërsa, kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka-Pula foli për risitë që sjell ky libër.
“Sot kam nderin që në emër të kësaj audience dhe mysafirëve të promovoj librin e akademikut Isa Mustafa: “Konvergjenca ekonomike e Kosovës me Bashkimin Evropian”. Akademik Mustafa, si njohës i mirë i proceseve dhe rrjedhave ekonomike, edhe në këtë dorëshkrim ka një qasje shkencore, moderne dhe profesioniste, të bazuar në burimet dhe relevancën e kohës së kësaj fushe. Akademik Mustafa, me profesionalizmin e tij teorik, shkencor dhe përvojën praktike, paraqet një përshtatje shkencore të teorisë së ekonomisë së tregut të lirë, teorisë së konvergjencës ekonomike dhe politikave ekonomike që ka ndjekur Kosova në hapat e saj të zhvillimit ekonomik dhe social. Prandaj, edhe në këtë libër, ai sjell risi nga qasja hartuese metodologjike, duke ndjekur një qasje shkencore dhe duke konsistuar në përfshirjen e vështrimit intelektual dhe profesional të konvergjencës së ekonomisë së Kosovës me Bashkimin Evropian.
Në këtë botim, “Konvergjenca e ekonomisë së Kosovës me Bashkimin Evropian” trajtohet si një synim thelbësor për arritjen e një zhvillimi ekonomik që siguron standarde të larta jetësore për qytetarët dhe prosperitetin e vendit. Ky trajtim përfshin gjithashtu përpjekjet e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik, për t’u përafruar dhe për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Duke analizuar tranzicionin politik dhe ekonomik të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, si një nga transformimet më të mëdha të kohëve moderne, përmes një qasjeje analitike dhe historike, autori përqendrohet në veçoritë e sistemeve dhe politikave ekonomike nëpër të cilat ka kaluar Kosova“, tha ajo.
Kurse, akademiku Besnik Krasniqi thotë se libri trajton tema që janë të rëndësishme në fushën e ekonomisë.
“Sot kam kënaqësinë të flas për një libër që trajton disa nga çështjet më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe perspektivën evropiane të Kosovës, librin ‘Konvergjenca Ekonomike e Kosovës me Bashkimin Evropian’ të autorit akademik Isa Mustafa. Ky libër është një kontribut i rëndësishëm në fushën e ekonomisë dhe në debatin shkencor mbi zhvillimin ekonomik, institucionet dhe procesin e integrimit evropian të vendit tonë. Tema e konvergjencës ekonomike është një nga konceptet qendrore të ekonomiksit të zhvillimit. Ajo lidhet me procesin përmes të cilit ekonomitë më pak të zhvilluara afrohen gradualisht me nivelin e zhvillimit të vendeve më të avancuara. Në rastin e Kosovës, ky proces është i lidhur ngushtë me perspektivën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe me përpjekjet për të ndërtuar një ekonomi moderne të tregut, konkurruese dhe të qëndrueshme. Në këtë libër, autori akademik Isa Mustafa trajton në mënyrë të thelluar dhe sistematike procesin e konvergjencës ekonomike të Kosovës me Bashkimin Evropian, duke analizuar faktorët ekonomikë, institucionalë dhe politikë që ndikojnë në këtë proces mjaft kompleks”, tha Krasniqi.


















