Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut ka reaguar lidhur me protestën e studentëve shqiptarë, të cilët po kërkojnë që provimi i Jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe.
Sipas këtij dikasteri qeveritar nga Shkupi zyrtar, provimi i jurisprudencës jepet në përputhje me ligjin në fuqi.
“Bëhet fjalë për provim profesional që nuk përbën procedurë administrative, por mekanizëm për sigurimin e cilësisë dhe profesionalizmit rreth sistemit juridik. Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog konstruktiv dhe shqyrton me vëmendje nismat dhe propozimet, në kuadër të kompetencave juridike”, theksohet në reagim.
Ministria me të cilin udhëheq Igor Fillkov, gjithashtu kritikoi mungesën e simboleve shtetërore në protestën e studentëve shqiptarë ndërsa shprehu shqetësim për siç tha, rolin e një partie opozitare në këto protesta, duke ngritur dyshime për instrumentalizim politik dhe përdorim të retorikës etnike për qëllime të caktuara.


















