Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), në vazhdën e hetimeve të zhvilluara në lidhje me një rast të mëhershëm, njofton se ka intervistuar personin B.L., (1990) në cilësinë e të dyshuarit, pasi që dyshohet që në bashkëveprim edhe me presona të tjerë kanë kryer veprat penale; ‘Mashtrimi’, ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Legalizimi i përmbajtjes së rreme’.
Ekziston dyshimi i bazuar se personat e dyshuar, “duke falsifikuar dokumentet e identifikimit dhe certifikatën e pronës së palës ankuese, kanë arritur të tjetërsojnë në mënyrë të kundërligjshme pronën e tij me sipërfaqe prej shtatë hektarësh në vlerë të përafërt të tregut rreth Tre (3) milion euro e cila gjendet në komunën e Ferizajt, të cilën më pas e kanë parcelizuar dhe shitur personave të tretë”, thuhet në njoftim.
Në bazë të urdhrit për kontroll, është kryer bastisje në një lokacion, ku janë gjetur dhe konfiskuar një telefon mobil dhe dokumente që ndërlidhen me rastin, “ndërsa pas intervistimit, me urdhër të prokurorit i dyshuari ndalohet për 48 orë”, njofton policia.
Lidhur me këtë rast, “me datën 19 shkurt 2026 Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dërguar në mbajtje edhe katër persona tjerë të cilët në bashkëkryerje dyshohet se kanë kryer veprat e lartcekura”, informon policia.


















