Rrahmani: Gërvalla me 15 mijë euro dhe Haxhiu me 5 mijë financuan propagandën e Shkëlzen Gashit

E publikuar: 02/04/2026 20:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës, duke akuzuar drejtpërdrejt dy ministret e kabinetit qeveritar për censurë dhe keqpërdorim të fondeve publike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rrahmani ka deklaruar se fjalën e lirë të deputetëve e penguan Donika Gërvalla dhe Albulena Haxhiu.

“Sot në Kuvend, fjalën e lirë e penguan dy financueset e propagandës së Shkëlzen Gashit, Donika Gërvalla, e cila ka financuar me 15 mijë euro, dhe Albulena Haxhiu, e cila ka financuar me 5 mijë euro”, tha ai.

Sipas deputetit, këto dy ministre janë financueset kryesore të asaj që ai e quan propaganda e Shkëlzen Gashit.

“Pra, nga njëra anë ndalin fjalën e deputetëve, ndërsa nga ana tjetër mbështesin Shkëlzen Gashin, librin e tij dhe ekspozitën“, tha ai.