Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka deklaruar se ka intensifikuar kontrollet mbi njehsorët elektrikë pas krijimit të një komisioni ad hoc për verifikim të ankesa të konsumatorëve.
Pas testimeve laboratorike në Agjencinë e Metrologjisë, sipas MINTI janë konstatuar devijime në kohë dhe datë, ndërsa matja e energjisë elektrike rezulton e saktë dhe bllombat e njehsorëve të paprekura.
Duke u bazuar në këto gjetje, MINTI siç thuhet në komunikatë do të kërkojë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) marrjen e masave për korrigjimin e devijimeve, ndërsa Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) do të shqiptojë gjoba ndaj KEDS-it për përdorimin e njehsorëve me afat të skaduar, sipas legjislacionit në fuqi.
Që nga formimi i komisionit verifikues janë pranuar 209 ankesa brenda dy ditëve, ndërsa më parë Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit nuk kishte regjistruar ankesa të tilla, thuhet në njoftim ndër tjerash.
Komunikata e plotë:
MINTI shton masat në mbrojtje të konsumatorëve
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), pas themelimit të komisionit ad hoc për verifikimin e njehsorëve elektrikë të konsumatorëve, që kanë parashtruar ankesa në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, ju njofton se procesi i verifikimit është duke vazhduar me intensitet të lartë. Pas verifikimit laboratorik në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës të njehsorëve të parë janë konstatuar këto gjetje kryesore:
• Është vërtetuar se njehsorët kanë qenë me afat të skaduar të vlefshmërisë;
• Janë evidentuar devijime në datë prej rreth 2–3 ditësh krahasuar me kohën reale;
• Gjithashtu është konstatuar se ekzistojnë devijime prej rreth 10–11 orësh krahasuar me kohën reale;
• Matja e energjisë elektrike ka rezultuar të jetë në rregull dhe pa ndikim në saktësinë e konsumit të regjistruar;
• Është konstatuar se bllombat kanë qenë të paprekura dhe pa dëmtime.
Me të marrë raportin e gjetjeve, MINTI do të kërkojë zyrtarisht nga ZRRE (Zyra e Rregullatorit të Energjisë) marrjen e masave konform devijimeve të konstatuara. Ndërsa, duke u bazuar në Ligjin nr. 06/L-037, neni 23, paragrafët 4 dhe 5, si dhe neni 46, paragrafi 1.3, nënparagrafi 1.3.2, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) do të shqiptojë gjoba ndëshkimore ndaj KEDS-it, si pronar dhe shfrytëzues i njehsorëve, për çdo gjetje që lidhet me afatin e skaduar të vlefshmërisë së njehsorëve.
Për informimin tuaj të drejtë, ju konfirmojmë se Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, deri më datën 30.03.2026, nuk ka pranuar asnjë ankesë nga konsumatorët për njehsorët e energjisë elektrike. Ndërsa, pas formimit të komisionit verifikues, vetëm gjatë dy ditëve të fundit, pranë këtij departamenti janë pranuar 209 ankesa, për të cilat komisioni është duke kryer verifikimin.
MINTI mbetet e përkushtuar të trajtojë çdo ankesë të konsumatorit, të bazuar në fakte, dhe në përputhje me gjetjet e verifikimit do të ndërmarrë masa ligjore.



















