Suela Jaha, psikologe klinike nga Klinika multidisiplinare Balcë tha për Kosovapress se Dita Botërore e Autizmit shërben si një mundësi e rëndësishme për të rritur ndërgjegjësimin në shoqëri dhe për të promovuar pranimin e fëmijëve me autizëm.
Ajo theksoi se është thelbësore që institucionet dhe familjet të bashkëpunojnë për të krijuar një mjedis gjithëpërfshirës, ku çdo fëmijë të ndihet i pranuar dhe i vlerësuar. Sipas saj, përfshirja e tyre në aktivitete të përditshme ndikon pozitivisht në zhvillimin dhe mirëqenien e tyre.
“Shënimi i Ditës Botërore është një moment reflektimi dhe ndërgjegjësimi. Është një thirrje për të kuptuar se fëmijët autikë nuk janë të sëmurë, por kanë një mënyrë ndryshe të të perceptuarit dhe të përjetuarit. Kjo ditë na kujton sa e rëndësishme është t’i pranojmë, të bashkëpunojmë me ta dhe t’i përfshijmë në aktivitetet tona… patjetër që persona me autizëm, por edhe familjarët e tyre këtu në Kosovë përballen me disa sfida të ndryshme. Një nga këto sfida është mungesa e diagnostifikimit të hershëm tek fëmijët, së dyti duhet të jenë në shërbime të kufizuara terapeutike, së treti janë paragjykimet që hasin kundrejt këtij grupi, së katërti është mungesa emocionale, por edhe ajo financiare dhe një nga sfidat më të mëdha është edhe përfshirja e këtyre fëmijëve në arsim”, tha Jaha.
Ajo flet për sfidat me të cilat përballen personat me autizëm. Përmend problemet si mungesa e diagnostikimit të hershëm, shërbimet e kufizuara terapeutike, paragjykimet nga shoqëria, vështirësitë emocionale dhe financiare si dhe mungesa e përfshirjes së plotë në sistemin arsimor.
“Patjetër që duhet të jap në këtë ditë kaq të rëndësishme një mesazh sensibilizues. Së pari mos të kërkojmë që këta fëmijë të përshtaten me botën, por të mësojmë që bota jonë të përshtatet me ta, çdo fëmijë ka potencialin e tij, kështu që kur i japim këtyre fëmijëve dashuri, kur kemi durim dhe i mbështesim, i ndihmojmë këta fëmijë të zhvillojnë potencialin e tyre… Së pari është edukimi i publikut në lidhje me autizmin, së dyti është mirë që të flasim hapur çfarë është autizmi dhe është shumë e rëndësishme të bëhen trajnime për mësuesit, por edhe për profesionistët dhe është shumë e rëndësishme të bëhen aktivitete simbolike, por edhe fushata dhe jo vetëm që të jetë në mënyrë simbolike, por duhet të jetë një përfshirje reale”, tha Jaha.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një në 127 persona në botë preket nga autizmi.



















