Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar gjuhën e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili në fjalimin e sotëm në Kuvend, sërish ka sulmuar mediat dhe gazetarët.
AGK-ja e ka dënuar këtë gjuhë të kreut të ekzekutivit, duke e cilësuar atë si retorikë nxitëse dhe akuzuese kundër mediave dhe gazetarëve
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit të Kosovës, këtë të enjte, për të vazhduar sulmet e tij ndaj mediave dhe gazetarëve, duke folur mes tjerash, për “hyrjen e parave në mënyrë të padukshme”. Kryeministri në fjalën e tij ka thënë se “një qytetar i dezinformuar nuk është një qytetar i lirë, por është i manipuluar dhe, siç tregojnë raportet, ky manipulim po vjen direkt nga armiqtë tanë, por fatkeqësisht po gjejnë edhe argatin e tyre brenda vendit tonë”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Organizata që mbron të drejtat e gazetarëve e ka dënuar fuqishëm këtë retorikë nxitëse dhe akuzuese të Kurtit kundër mediave dhe gazetarëve në Kosovë, duke i vlerësuar ata “argatë të armiqve”.
Një gjuhë e tillë, sipas AGK-së, është vazhdimësi e fushatave të parreshtura të Kurtit, partisë dhe Qeverisë së tij, kundër gazetarëve dhe mediave me synim minimin e raportimit të pavarur dhe të lirë.
AGK-ja e ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të angazhohet për një proces transparent për hartimin e ligjit të ri të KPM-së me gjithëpërfshirje në diskutime, të ndalojë presionin politik ndaj Transmetuesit Publik, RTK dhe menjëherë të heqë dorë nga fushatat e organizuara të denigrimit të mediave dhe gazetarëve.
“Sulmi i ri i Kurtit kundër mediave dhe gazetarëve vjen vetëm pak ditë pas vizitës së një misioni faktmbledhës të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve që konkludoi se Kosova ka shënuar rënie të vazhdueshme të lirisë së medias në vitet e fundit.”, përfundon regimi i AGK-së.
Ndryshe, Kurti në adresimin e tij para deputetëve në Kuvend, ka folur edhe për mediat dhe lirinë e shprehjes, duke përmendur “raportimet për financime me thasë parash”.




















