Haradinaj: VV e ka një plan, po pritet 5 prilli që Haxhiu të jetë ushtruese detyre e presidentit

E publikuar: 02/04/2026 10:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është deklaruar para fillimit të seancës  për çështjen e presidentit, raporton Ekonomia Online.

Ai, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka një plan në kohë, duke shtuar se po dëshirojnë që ushtruese detyre e presidentit të jetë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

“LVV e ka një plan në kohë. Për ta është me rëndësi që kryetarja e Kuvendit të jetë edhe ushtruese e detyrës së presidentit, prandaj nuk po nguten. Pastaj mbetet të shihet se si do ta menaxhojnë situatën, por ne varemi nga iniciativa e tyre. Po shihet qartë që kjo është e lidhur me përfundimin e mandatit të presidentes aktuale. Pra, LVV po pret. Çdo gjë pritet të fillojë në momentin kur të kemi një ushtrues detyre të ri të presidentit. Njëherë të marrë detyrën Haxhiu, e pastaj të nisin konsultimet e mëtejshme”, tha Haradinaj.

Ai theksoi se partia e tij i ka gjashtë vota, por nuk janë të përcaktuara se si do të veprohet.

“AAK i ka votat, janë gjashtë, por ende nuk janë të përcaktuara se si do të veprohet. Nuk kemi asnjë zhvillim konkret dhe është e qartë që gjithçka lidhet me kohën, pra të shkojë Osmani, me qenë ushtruese e detyrës Haxhiu, dhe pastaj të shohim se çfarë do bëjnë”, shtoi kreu i Aleancës.