Organizata AVONET ka reaguar përmes një komunikate lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë, duke shprehur shqetësim për dyshimet për manipulim me njehsorët elektrikë nga kompanitë KEDS dhe KESCO.
Në reagim thuhet se, bazuar në informacione nga burime të sigurta, ekzistojnë dyshime serioze për keqpërdorim të autorizimeve nga këto kompani dhe faturim të padrejtë ndaj qytetarëve.
“Pas pranimint të disa informacioneve, nga burimet e sakta të informacionit, ne seriozisht dyshojmë se KEDS dhe KESCO duke keqpërdorur autorizimet që u janë dhënë përmes marrëveshjes së distribucionit të energjisë, ku kanë faturuar qytetarët me shuma marramendëse, që arrijnë miliona euro dëme, përmes njësorëve elektrikë përmes mashtrimit që ditëve të fundit është diskutuar shumë në hapësirën publike të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
AVONET thekson gjithashtu dyshime për investime fiktive nga pronarët e lidhur me Çalık Holding dhe menaxhmenti i kompanive energjetike.
“Në bazë të informacioneve që posedojmë, pronarët e lidhur me Çalık Holding, përkatësisht z. Ahmet Çalık dhe z. Özdemir, së bashku me menaxhmentin e KEDS dhe KESCO, dyshohet se kanë paraqitur para institucioneve shtetrore investime fiktive, në kundërshtim me detyrimet kontraktuale të privatizimit të ish-distribucionit të KEK-ut.”
Në komunikatë ngrihen dyshime edhe për rolin e institucioneve rregullatore dhe mbikëqyrëse.
“Këto veprime nuk mund të kenë ndodhur pa dijeninë dhe mosveprimin e ZRRE, e cila ka kompetencë dhe detyrim eksluziv ligjor të monitoroj tregun e energjisë në Kosovë. Për këtë arsye, ekziston dyshim i arsyeshëm për përfshirje dhe bashkëpërgjegjësi institucionale në këtë skemë të dyshuar mashtrimi.”
Organizata vlerëson se këto dyshime mbështeten nga analiza profesionale dhe paralajmërime të mëhershme nga ekspertë të fushës.
“Këto dyshime nuk janë thjeshtë spekulime të pa baza. Ato janë të mbështetura nga analiza profesionale dhe fakte konkrete të prezantuara publikisht nga ekspert të ndryshëm dhe ekspertë të tjerë të fushës, të cilët prej kohësh kanë paralajmëruar për këtë fenomen.”
Sipas AVONET-it, mosrealizimi i investimeve të obliguara ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e infrastrukturës energjetike dhe në rritjen e problemeve me furnizim me energji.
“Në bazë të informacioneve dhe dyshimeve tona ne konsiderojme se investimet e obliguara nuk janë realizuar qëllimisht nga kompanitë e lartpërmendura, ku përmes skemave fiktive, me qëllim përfitimi financiar në kurriz të qytetarëve dhe bizneseve nuk janë kryer investimet në infrastrukturën energjetike”, thuhet në komunikatë.
Në komunikatë përmenden edhe dyshime për një skemë të ngjashme në sektorin financiar.
“AVONET sipas informacioneve që posedon dyshon se në të njëjtën kohë një mashtrim i ngjashëm nga po këto pronarë ka ndodhur nga një institucion financiar i licencuar nga Banka Qendore e Kosovës, ku për vite me radhë ka dëmtuar klientët përmes një sistemi të sofistikuar financiar”, thuhet tutje në komunikatë.
Sipas organizatës, burime nga Banka Qendrore e Kosovës kanë konfirmuar jozyrtarisht për evidentimin e shkeljeve të ngjashme.
“Burime nga Banka Qendrore e Kosovës kanë konfirmuar jozyrtarisht se gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre, përmes mbikqyrjes, të cilat kanë ardhur nga ankesat e personave të ndryshëm janë evidentuar një mori shkeljesh, që për nga natyra e mashtrimit janë të ngjashme sikurse dyshimet për mashtrim me njesorë të energjisë elektrike”, thuhet tutje.
AVONET i bën thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për veprim.
“Në këtë drejtim, kërkojmë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës që të veprojë menjëherë, në përputhje me kompetencat ligjore, për hetimin e plotë, të pavarur dhe pa kompromis të këtyre rasteve.”
“Gjithashtu, kërkojmë nga shtetet e QUINT-it që të shqyrtojnë seriozisht këto dyshime dhe, nëse konfirmohen përmes mekanizmave përkatës, të iniciojnë procedurat për njoftimin e institucioneve relevante në shtetet e tyre, me qëllim vlerësimin e mundësisë për përfshirjen e personave përgjegjës në listat e sanksioneve.”



















