Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka iniciuar hetime lidhur me shembjen e dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti” në Komunën e Prishtinës.
Departamenti për Krime të Rënda, Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, ka autorizuar grumbullimin e të gjitha informatave dhe provave shtesë për të verifikuar nëse veprimet ose mosveprimet e zyrtarëve të komunës përbëjnë shkelje të nenit 414 të Kodit Penal për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda- Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, njofton opinionin publik se më datë 30.03.2026, në kuadër të detyrës së tij zyrtare, ka inicuar një rast ndaj zyrtarëve përgjegjës të Komunës së Prishtinës, me qëllim të verifikimit nëse veprimet apo mosveprimet e tyre përbëjnë elemente të përgjegjësisë penale për kryerjen e veprës penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Prokuroria thekson se mbetet e përkushtuar në ushtrimin e kompetencave ligjore, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit dhe ruajtjes së rendit dhe interesit publik.



















