Raportimet e së dielës pretendojnë se të paktën shtatë lojtarë të Juventusit do të nxirren në shitje gjatë afatit kalimtar veror, përfshirë edhe tre afrime të bëra në fillim të sezonit 2025-26.
“Zonja e Vjetër” ka ende shumë punë për të bërë në Serie A, duke u renditur në vendin e pestë, tre pikë pas Comos në zonën e top 4-shes.
Juventusi ka edhe tetë ndeshje për të siguruar objektivin e kualifikimit në Ligën e Kampionëve.
Në prapaskenë, klubi duhet të merret edhe me rinovimet e kontratave, përfshirë trajnerin Luciano Spalletti dhe sulmuesin Dusan Vlahovic, kontrata e të cilit prej 12 milionë euro në sezon skadon në fund të sezonit 2025-26.
Përveç afrimeve të mundshme, Juventusi synon të shesë disa lojtarë të ekipit të parë pas një sezoni zhgënjyes.
Reparti i portës është një nga prioritetet për ndryshim, pas paraqitjeve jo bindëse të Michele Di Gregorio, i cili pritet të shitet nëse vjen një ofertë e mirë.
Sipas raportimeve, ai ka më shumë gjasa të largohet sesa Mattia Perin, edhe pse as e ardhmja e këtij të fundit nuk është e sigurt.
Sulmi është një tjetër repart që pritet të pësojë ndryshime të mëdha.
Afrimet verore Jonathan David dhe Lois Openda nuk kanë përmbushur pritshmëritë dhe mund të largohen që pas një sezoni.
Shitja e Davidit pritet të jetë më e lehtë, pasi ai ka interesim nga klubet e Ligue 1 dhe Juventusi mund të përfitojë, duke qenë se ai erdhi si lojtar i lirë.
Situata me Opendan është më e komplikuar, pasi ai u transferua me huazim me detyrim blerjeje prej 42 milionë eurosh dhe gjetja e një blerësi në atë çmim pas një sezoni të dobët do të jetë e vështirë.
Në pjesë të tjera të skuadrës, mbrojtësi Joao Mario, aktualisht i huazuar te Bologna, pritet të largohet përfundimisht. Gjithashtu, Juventusi mund të shesë edhe reprezentuesin italian Andrea Cambiaso nëse vjen një ofertë e mirë.
Filip Kostic do të largohet si lojtar i lirë në fund të sezonit, pasi kontrata e tij po skadon.
Së fundmi, Juventusi është i gatshëm të dëgjojë oferta edhe për Edon Zhegrova, i cili ka pasur vështirësi me dëmtimet dhe formën gjatë sezonit të tij të parë në Itali.
Raportohet se për të ka interes nga Ligue 1 dhe Bundesliga.


















