BDI kritikon qëndrimin e kryeministrit për gjuhën shqipe: Kthim prapa në 1991

E publikuar: 28/03/2026 14:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski në Kuvend lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe, duke e cilësuar atë si një nga momentet më shqetësuese në diskursin politik që nga nënshkrimi i Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.

Sipas reagimit, pretendimi se gjuha shqipe mund të përdoret “sa të doni”, ndërsa si gjuhë zyrtare mbetet vetëm maqedonishtja, vlerësohet si rikthim në logjikën e Kushtetutës së vitit 1991 dhe në nenin e dikurshëm 7, duke injoruar Amendamentin V të vitit 2001, i cili konsiderohet themelor për rendin kushtetues dhe balancën ndëretnike në vend.

BDI thekson se një qëndrim i tillë cenon thelbin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila sipas tyre nuk është vetëm kompromis politik, por arkitekturë e bashkëjetesës në shtet multietnik.

Në reagim thuhet se relativizimi i statusit të gjuhës shqipe përbën rrezik për marrëdhëniet ndëretnike dhe funksionimin e demokracisë multietnike, duke u cilësuar si tentativë për kthim prapa në arritjet kushtetuese.

BDI i bën thirrje kryeministrit që të tërhiqet menjëherë nga kjo qasje dhe të respektojë plotësisht rendin kushtetues të dalë nga Marrëveshja e Ohrit, duke theksuar se çdo devijim nga ky parim dëmton bashkëjetesën dhe stabilitetin e shtetit.