Kreu i tifogrupit “Dardanët”, Lulzim Berisha, ka reaguar lidhur me interesimin e madh për sigurimin e biletave për ndeshjen e Kosovë ndaj Turqisë, e cila do të zhvillohet më 31 mars 2026, me fillim nga ora 20:45, duke bërë të ditur se në sektorin e tyre nuk ka më bileta në dispozicion.
Në një postim në facebook, Berisha theksoi se të gjitha biletat janë shpërndarë për anëtarët e rregullt të tifogrupit, të cilët kanë kryer anëtarësimin vjetor. Ai kërkoi mirëkuptim nga tifozët që nuk kanë arritur të sigurojnë një vend në stadium.
Megjithatë, shqetësimi kryesor i “Dardanëve” lidhet me raportimet për shitjen e biletave në tregun e zi, ku sipas tyre, disa prej tyre po përfundojnë edhe te tifozët mysafirë.
“Ju lutemi që ta respektoni peshën historike të ndeshjes dhe mos lejoni që të ndryshojë përbërja e tifozëve në stadium. Për këto zhvillime, ftojmë organet e rendit që t’i hetojnë ata që po i keqpërdorin biletat në tregun e zi dhe të ndalet kjo marrëzi” – shkroi Berisha.
Ndër të tjerash “Luli” gjithashtu theksoi rëndësinë e mbështetjes së organizuar të tifozëve për Kombëtaren e Kosovës në këtë përballje, duke e cilësuar ndeshjen si një moment me peshë të madhe për aspiratat drejt Kupës së Botës 2026.
Në fund, “Dardanët” i bënë thirrje Policisë së Kosovës dhe institucioneve përkatëse që të ndërmarrin masa konkrete ndaj keqbërësve, në mënyrë që të ruhet rendi dhe integriteti i këtij eventi sportiv.


















