Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë aksion për largimin e tabelave të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, pasi ka konstatuar përmbajtje të pasaktë në disa prej materialeve të ekspozuara, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha, tha se vendimi për largimin e ekspozitës ka ardhur pas revokimit të lejes për shkak të pasaktësive që, sipas tij, kanë ndikuar në kujtesën historike dhe kanë shkaktuar reagim publik.
“Komuna e Prishtinës ka revoku pëlqimin për ekspozimin e materialeve prej librit të Shkëlzen Gashit, të cilat kanë qenë të parapara prej datës 24 mars deri me datën 7 prill, në përkujtim të masakrave që kanë ndodhë në Kosovë. Ky revokim është bërë për shkak të përmbajtjes së pasaktë e të pavërtetë në disa prej panove që janë shfaqë, në disa prej materialeve të cilat rëndojnë shumë kujtesën historike të kombit tonë, rëndojnë shumë të mbijetuarit e masakrave edhe kanë kriju një irritim të jashtëzakonshëm të sentimentit publik. Prandaj e kemi revoku edhe sot është marrë menjëherë aksioni për heqjen e tyre nga sheshi”, tha ai.
Ai shtoi se komuna nuk kishte bërë paraprakisht verifikim të materialeve të ekspozuara.
“Jo, ne s’kemi bo kontroll të materialeve. Nuk kemi censurë, nuk jemi Gestapo për me bo diçka të tillë. Materialet kanë qenë të financuara ose të sponzorizuara edhe nga institucionet tona shtetërore, prandaj s’e kemi pa të arsyeshme me hy në detaje të tilla. Edhe nuk e kemi mendu që dikush prej shoqërisë tonë mundet me shku në nivele të tilla që me dhënë të pavërteta kaq të ndjeshme”, tha ai.
I mbijetuari i masakrës së Dubravës, Visar Ballovci, tha se përmbajtja e ekspozitës nuk përputhet me realitetin që ai dhe të tjerët e kanë përjetuar.
“I kom përjetuar me shokë e dashamirë, krejt çka i kom pas atje. Edhe kjo ekspozitë që e ka qitën në reklamë, nuk përputhet në atë kuptimin me të dhënat e sakta të masakrës së Dubravës. Ne e kemi përjetuar live këto. Çdo send që kemi pas, kanë qenë paramilitarë që kanë kryer krimin e parë në atë kuptimin, që e kanë bo masakrën e Dubravës mbi 144 janë të vrarë, dhe 200 e diçka janë të plagosur, pa këmbë, pa veshë, pa sy, e pa krejt. Ai si e deklaroj, si e demantoj, kishe që prej Natasha Kandiqit e ka marrë prej asaj shkinës, m’fal n’shprehje. Kërkoj falje, po Është puna që më interesant ajo se na që jemi live edhe që kemi mbijetuar edhe që jemi live të masakrës së Dubravës”, tha ai.
Ai shtoi se viktimat nuk kanë qenë të armatosura dhe se ngjarja është dokumentuar edhe nga burime ndërkombëtare.
“Përkundrazi, kanë qenë paramilitarë të armatosur. Janë edhe incizimet e NATO-s, se më së pari edhe prej NATO-s i kemi bombardimet e para që janë bo 22 janë prej NATO-s që kanë gjuajt, por janë satelitorë, krejt ato edhe kam qenë edhe në Strasburg, kam qenë për para 3 viteve kom qenë, që më kanë thënë që nuk ka, veç duhet shteti me bo. Ne me pas qenë(të armatosur), në atë kuptimin, kishim bo diçka me shpëtu vetën. Por asnjë send se kemi pas. Tre herë kam qenë unë vet në pushkatim edhe kam nejt nëpër xhenaze të të vrarëve aty. Edhe që kemi pas, kemi pas shumë tortura të mëdhaja që s’ta merr mendja, që gjuajshin qaq që s’mujsha me parashiku çfarë gjuajtje bëjshin. Edhe çfarë masakre bëjshin”, tha ai.
Ky veprim vjen pas vendimit të kryetarit të Prishtinës,. Përparim Rama, për pezullimin e lejes së ekspozimit, për shkak të pasaktësive të evidentuara në përmbajtjen e ekspozitës.
Ekspozita e hapur më 24 mars në sheshet e Prishtinës, në përkujtim të masakrave të kryera nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës, ka goxha pasaktësi.
Fillimisht u konstatua se të dhënat për masakrën e Burgut të Dubravës kanë gabime, duke u saktësuar se “Prej të vrarëve, 48 figurojnë persona të armatosur shqiptarë…”, mospërputhje me realitetin janë gjetur edhe në së paku dy raste tjera.
Për Masakrën e Mejës, ku sipas të dhënave zyrtare janë ekzekutuar 376 civilë shqiptarë më 27 prill të vitit 1999, në të dhënat e ekspozitës jepen shifra tjera.
Aty thuhet se në këtë masakër janë vrarë 349 civilë shqiptarë.
Rrjedhimisht, 27 jetë të humbura në këtë masakër të tmerrshme janë fshirë nga list.




















