Aksion i Doganës në Prizren: Sekuestrohen 1000 litra etanol, mbi 6 mijë euro taksa të shmangura

E publikuar: 27/03/2026 20:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një sasi e konsiderueshme e alkoolit të koncentruar është sekuestruar sot në rajonin e Prizrenit nga autoritetet doganore, në kuadër të operacioneve kundër kontrabandës.

Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, njësitë antikontrabandë kanë realizuar dy aksione të ndara, gjatë të cilave janë zbuluar gjithsej 1000 litra etanol (alkool 96%), që dyshohet se ishte futur ilegalisht nga Serbia.

Rasti i parë është evidentuar gjatë ndalimit të një automjeti transportues, ku janë gjetur 500 litra etanol pa dokumentacion përkatës. Personat e përfshirë nuk kanë arritur të dëshmojnë origjinën e mallit, importin e rregullt apo pagesën e detyrimeve doganore.

Pas këtij zbulimi, autoritetet kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore, duke çuar në identifikimin e një sasie tjetër prej 500 litrave etanol, e fshehur në garazhin e një shtëpie në të njëjtin rajon.

E gjithë sasia prej 1000 litrash është sekuestruar, ndërsa sipas llogaritjeve fiskale, shmangia nga pagesa e akcizës, taksave doganore dhe TVSH-së arrin në rreth 6,260 euro.

Autoritetet vlerësojnë se ky rast përbën dëm të drejtpërdrejtë për buxhetin e shtetit dhe krijon konkurrencë të padrejtë në treg.

Rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt hetimore në koordinim me institucionet kompetente, ndërsa ndaj personave të përfshirë priten masa ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Dogana theksonë se do të vazhdojnë me intensitet të shtuar operacionet kundër kontrabandës në të gjithë territorin e vendit, me qëllim mbrojtjen e tregut të ligjshëm dhe parandalimin e evazionit fiskal.