Gjatë vitit 2025, dhjetëra zyrtarë policorë në Kosovë janë përballur me hetime, arrestime dhe suspendime për vepra të ndryshme penale, nga keqpërdorimi i detyrës e deri te dhuna në familje apo ngacmimi seksual, raporton Infosot.
Sipas raportit vjetor të Inspektorati Policor i Kosovës, gjatë këtij viti janë arrestuar gjithsej 47 persona. Prej tyre, 41 kanë qenë zyrtarë të Policia e Kosovës, ndërsa 6 qytetarë të përfshirë në raste që lidhen me punonjësit e policisë. Arrestimet erdhën pas hetimeve që përfshinë gjithsej 232 policë dhe 11 qytetarë.
Për të mos ndikuar në hetime, IPK ka rekomanduar edhe një numër të madh masash administrative. Gjatë vitit të kaluar janë rekomanduar për suspendim 129 zyrtarë policorë, ndërsa dy të tjerë janë transferuar nga pozitat e tyre.
Raporti tregon se një pjesë e rasteve kanë qenë të ndjeshme dhe lidhen me jetën private dhe integritetin moral të zyrtarëve. Pesë policë janë hetuar për dhunë në familje, ndërsa në tre raste ka pasur dyshime për ngacmim seksual.
Megjithatë, pjesa më e madhe e hetimeve lidhet me shkelje gjatë ushtrimit të detyrës. Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës apo autorizimeve publike rezulton të jetë vepra më e shpeshtë, me 31 raste të regjistruara. Pas saj vjen keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar me 26 raste.
Një tjetër dukuri që bie në sy në raport është numri i madh i rasteve të rrezikimit të trafikut publik nga vetë zyrtarët policorë. Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 24 raste të tilla.
Përveç këtyre, policët janë hetuar edhe për vepra të tjera penale si lëndimi i lehtë trupor në 16 raste, kanosja në 8 raste dhe posedimi i paautorizuar i narkotikëve dhe substancave psikotrope në 4 raste. Raporti përmend edhe raste të rënda të hetuara, përfshirë dyshime për vrasje, vrasje nga pakujdesia dhe lëndim të rëndë trupor.
Sa i përket ndjekjes penale, Inspektorati Policor i Kosovës ka dorëzuar 110 kallëzime penale ndaj personave të dyshuar, që paraqet rritje prej rreth 27.9 për qind krahasuar me vitin paraprak. Po ashtu janë dërguar 41 raporte të veçanta dhe 109 raporte plotësuese për prokurorinë.
Raporti përfshin edhe raste që lidhen me korrupsionin brenda strukturave policore. Në total janë hetuar 37 raste që kanë të bëjnë me marrje ose dhënie ryshfeti, ushtrim ndikimi apo zbulim të fshehtësive zyrtare.
Këto të dhëna, sipas IPK-së, tregojnë për përpjekjet për të hetuar dhe ndëshkuar shkeljet brenda policisë, me synim ruajtjen e integritetit të institucionit dhe forcimin e besimit të qytetarëve në zbatimin e ligjit.
Raporti i plote: https://ipk.rks-gov.net/Reports/AnnualReports

















