Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kujtuar dhimbjen e nënës Ferdonije, 27 vjet pas rrëmbimit të katër djemve dhe bashkëshortit të saj nga forcat e regjimit serb.
Osmani ka theksuar se eshtrat e dy prej djemve janë gjetur, duke sjellë një pjesë të së vërtetës, ndërsa për dy djemtë e tjerë dhe bashkëshortin e saj, pritja ende vazhdon.
Sipas saj, kjo nuk është vetëm një pritje personale, por një plagë e të gjithë shoqërisë, e cila mbetet e pambyllur.
Presidentja e ka cilësuar historinë e nënës Ferdonije si dëshmi të dhimbjes së thellë, por edhe të forcës së jashtëzakonshme, duke nënvizuar se dashuria e një nëne nuk dorëzohet, kujtesa nuk zbehet dhe kërkimi për drejtësi nuk ndalet.
Në fund, ajo ka shprehur respekt për qëndresën e saj dhe ka ritheksuar zotimin për vënien e drejtësisë në vend.




















