Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka lëshuar një njoftim në lidhje me parashikimin e motit nga data e sotme deri më 5 prill.
Sipas njoftimit, gjatë orëve të vona të ditës së sotme priten reshje lokale shiu, si pasojë e depërtimit të një mase ajrore më të lagësht dhe jostabile mbi rajon.
Këto reshje, thotë IHMK, do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së premte.
Ndërkaq, theksohet se fundjava do të karakterizohet me mot të paqëndrueshëm dhe reshje të herëpashershme shiu, ndërsa në zonat malore dhe në lartësi më të mëdha mbidetare reshjet pritet të jenë në formë bore, si rezultat i temperaturave më të ulëta.
Temperaturat minimale pritet të variojnë nga 1°C deri në 4°C, ndërsa ato maksimale nga 6°C deri në 12°C.
IHMK thotë se nga dita e hënë pritet një stabilizim relativ i kushteve atmosferike, me mot mesatarisht të vranët dhe intervale me diell.
Megjithatë, instituti thotë se në disa zona do të ketë zhvillime lokale të vranësirave të shoqëruara me riga të dobëta shiu.
Në njoftim bëhet e ditur se në viset malore, gjatë pjesës së dytë të javës së ardhshme, priten sërish reshje bore për shkak të depërtimit të masave më të ftohta ajrore nga veriu dhe verilindja.
Instituti Hidrometeorologjik ka bërë edhe një paralajmërim agrometeorologjik.
“Nga data 31 mars deri më 4–5 prill pritet rënie e temperaturave minimale në vlera negative gjatë orëve të hershme të mëngjesit, duke krijuar kushte për ngrica pranverore (frost). Këto kushte paraqesin rrezik për sektorin e pemëtarisë, veçanërisht për kulturat në fazën e lulëzimit”, ka thënë IHMK.
Ky institut ka dhënë edhe disa rekomandime për fermerët.
“Krijimi i shtresës mbrojtëse me tym (smudging) për të reduktuar ftohjen gjatë natës, monitorimi i vazhdueshëm i temperaturave dhe parashikimeve, ndërmarrja e veprimeve tjera nga përvoja vetanake e bujqve”.
“Zbatimi në kohë i këtyre masave mund të zvogëlojë ndjeshëm dëmet dhe të ruajë prodhimin bujqësor”, ka potencuar IHMK-ja në paralajmërim.



















