Delegacioni i Kosovës merr pjesë në aktivitetet rajonale për konfiskimin e pasurisë së paligjshme në Bosnjë dhe Hercegovinë

E publikuar: 26/03/2026 16:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga udhëheqësi i Zyrës për Rikthim të Aseteve, Bahri Hyseni, i shoqëruar nga drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi, u.d. drejtori i AMSKA-s, Alban Sutaj, si dhe përfaqësuesit e institucioneve ligjzbatuese nga Policia e Kosovës, z. Shukri Rafuna dhe Burim Bazaj, gjatë periudhës 23-26 mars 2026, mori pjesë në një sërë aktivitetesh rajonale të rëndësishme në fushën e konfiskimit të përfitimeve pasurore dhe menaxhimit të pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, të zhvilluara në Neum, Bosnjë dhe Hercegovinë.

Gjatë qëndrimit në Neum, delegacioni i Kosovës mori pjesë në ceremoninë zyrtare të prezantimit të Strategjisë për konfiskimin e përfitimeve pasurore 2025–2031, me ç’rast u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rajonal në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në kuadër të agjendës, delegacioni zhvilloi gjithashtu një takim pune me përfaqësues të FAZUOI-t dhe të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, ku u prezantuan praktikat dhe përvojat më të mira në hartimin e strategjive, menaxhimin e pasurisë së konfiskuar, si dhe përdorimin e sistemeve digjitale dhe bazave të të dhënave për këtë qëllim. Në këtë takim, përfaqësuesit e ARO Kosovës prezantuan zhvillimet dhe progresin e arritur në Republikën e Kosovës në këtë fushë.

Pjesëmarrja në këto aktivitete përbën një hap të rëndësishëm në avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në fuqizimin e mekanizmave për luftimin e ekonomisë ilegale, me synim rritjen e efikasitetit në identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme.

Delegacioni i Kosovës mbetet i përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, në funksion të forcimit të sundimit të ligjit dhe integrimit evropian të vendit.