Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Presidenti të zgjidhet në një afat prej 34 ditësh.
Kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje u ankuan në këtë gjykatë duke pretenduar se presidentja Vjosa Osmani e kishte shkelur Kushtetutën me nxjerrjen e një dekreti më 6 mars për ta shpërndarë Kuvendin për shkak se një ditë më parë, më 5 mars, siç thoshte, “deputetët kanë dështuar ta zgjedhin Presidentin sipas afatit kushtetues”.
Procedura e zgjedhjes së Presidentit nisi mbrëmjen e 5 marsit, kur LVV-ja i kandidoi dy zyrtarë të saj. Por Kushtetuesja thotë në vendimin e publikuar sot se procedura nuk duhej të niste atë natë, por shumë më herët.
Gjykata që është autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës në vend, thotë se afati për zgjedhjen e Presidentit të ri jo më vonë se 30 ditë para se t’i përfundojë mandati Presidentit aktual, “është detyrues dhe përfundimtar, dhe se marrë për bazë karakterin detyrues të këtij afati, i njëjti nuk mund të relativizohet”.
Kushtetuesja, në kontekstin konkret – meqenëse Kuvendi nuk ka qenë i konstituuar 60 ditë para afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, pra nuk i ka pasur në dispozicion 60 ditët prej kur duhej të fillonte procedura – ka vendosur që ta llogarisë nisjen e këtij afati prej ditës kur u konstituua Kuvendi – pra, prej 11 shkurtit.
Kësisoj, Gjykata vendosi që deputetët kanë afat 34 ditë për ta zgjedhur Presidentin.
“Megjithatë, duke iu referuar nënparagrafit 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës, përmes të cilit përcaktohet që Kuvendi shpërndahet në rastin kur “nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës, Gjykata marrë për bazë kontekstin specifik të rrethanave të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, vlerësoi se Kuvendi nuk ka pasur gjashtëdhjetë (60) ditë në dispozicion, brenda të cilës periudhë duhej përfunduar procedura për zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në vendim.
Kushtetuesja thekson se paragrafët e këtij vendimi tashmë të qartë se afati për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë me kohë dhe të përfundojë 30 ditë para se t’i përfundojë mandati Presidentit aktual, “mbeten të aplikueshme në të gjitha rastet e zgjedhjes së Presidentit në të ardhmen, përkatësisht procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditë duhet të fillojë përpara dhe të përfundojë jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”.
Kurti dhe partia e tij, thanë në kërkesën e tyre dërguar Kushtetueses se Gjykata do të duhej t’u lejonte që ta “vazhdojnë afatin 60-ditor” për ta zgjedhur Presidentin.
“[…] çfarëdo numërimi e interpretimi i afatit 60 ditor, përveçse nga dita e nisjes së procedurës, është jashtë germës dhe frymës së Kushtetutës dhe jashtë kuptimit dhe funksionit të vet Nenit 82, paragrafi 1, nënparagrafi 3. […]”, thuhet në kërkesën e Kurtit dhe partisë së tij.
Kushtetuesja thotë se përcaktimi i mandatit 4 vjet për Kuvendin dhe 5 vjet për Presidentin, “synon të garantojë vazhdimësinë e funksionimit institucional dhe të parandalojë krijimin e vakumeve institucionale, te cilat do të mund të shkaktonin pengesa ose kriza në funksionimin kushtetues të institucioneve shtetërore”.
Kushtetuesja thotë se “në rastin kur konsumohet periudha gjashtëdhjetë (60) ditore dhe Kuvendi dështon të zgjedh Presidentin e ri, mbi Presidentin apo ushtruesin e detyrës së Presidentit bie vetëm detyrimi që të caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve për Kuvend”.
Presidentja apo ushtruesi/ushtruesja e detyrës në atë rast, nuk ka nevojë të nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit, siç bëri Osmani, pasi, siç thuhet në vendim, Kuvendi në atë rast shpërndahet “ex constitutione”.




















