Gërvalla merr pjesë në ceremoninë përmbyllëse të programit “Future Makers” në Qendrën Korrektuese për të Miturit në Lipjan

E publikuar: 25/03/2026 17:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë ditës së djeshme, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të programit “Future Makers”, të përfunduar nga 21 të rinj në Qendrën Korrektuese për të Miturit në Lipjan .

Në ndarjen e çertifikatave gjatë ceremonisë, Ministrja Gërvalla u shpreh e lumtur për progresin dhe entuziazmin e këtyre të rinjve.

“OJQ BONEVET Prishtina, në bashkëpunim me Japan Tobacco International, u ofroi 21 të rinjve në qendër, mundësinë të mësojnë bazat e robotikës dhe programimit, si dhe të zhvillojnë shkathtësi që ndihmojnë në bashkëpunim, komunikim dhe zgjidhjen e problemeve të tjera”, tha ajo.

Ministrja Gërvalla vizitoi edhe Qendrën Edukuese Korrektuese, në të cilën, siç tha ajo, janë shtuar përpjekjet që përmes masave të ndryshme edukative të rinjtë të përgatiten për një jetë pa vepra penale në të ardhmen.

“Një falënderim i veçantë iu takon zyrtarëve korrektues dhe të gjithë atyre që nuk kursejnë nga energjia e tyre e përditshme për të hapur rrugën për këta të rinj, përmes aftësimit shtesë të tyre”, deklaroi Ministrja Gërvalla.