Gjykata Komerciale e Kosovës ka vendosur përfundimisht në favor të kompanisë “Qendra për Trajtimin e kafshëve” Sh.P.K duke e obliguar Komunën e Prishtinës që të paguajë mbi 17 mijë euro për shërbime të kryera, raporton Infosot.
Në aktvendimin e datës 30 janar 2026, Dhoma e shkallës së dytë ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Komunës së Prishtinës dhe ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë, duke lënë në fuqi edhe urdhrin përmbarimor të lëshuar nga përmbaruesi privat.
Rasti lidhet me një faturë në vlerë prej 17,515.20 euro të cilën kompania e kishte lëshuar për shërbime të ofruara ndaj Komunës. Sipas dokumenteve të trajtuara nga gjykata, këto shërbime kanë të bëjnë me trajtimin e kafshëve, kryesisht qenve endacakë, përfshirë kapjen, strehimin, kujdesin dhe trajtimin e tyre në përputhje me kërkesat e komunës.
Përveç shumës bazë, Komuna obligohet të paguajë edhe kamatë ligjore si dhe shpenzimet e procedurës përmbarimore.
Gjykata ka vlerësuar se fatura e paraqitur nga kompania përmbush të gjitha kushtet ligjore për t’u konsideruar dokument i besueshëm për përmbarim. Një element i rëndësishëm në vendim është edhe fakti se fatura rezulton të jetë pranuar nga Komuna, çka dëshmohet me nënshkrim dhe vulë zyrtare.
Nga ana tjetër, pretendimet e Komunës janë cilësuar si të pabazuara, pasi sipas gjykatës, nuk janë ofruar prova konkrete që do të vinin në dyshim obligimin financiar. Ankesa është mbështetur kryesisht në argumente formale, pa arritur të rrëzojë bazën ligjore të kërkesës së kompanisë.
Ky vendim e bën të formës së prerë detyrimin e Komunës së Prishtinës për ta shlyer borxhin, ndërsa në rast të moszbatimit vullnetar, pagesa do të realizohet përmes procedurave të përmbarimit.






















