Irani ka mohuar, të hënën, se ka zhvilluar ndonjë negociate me Shtetet e Bashkuara për ndonjë armëpushim të luftës, duke hedhur poshtë kështu raportimet për bisedime derisa konflikti po vazhdon.
Duke folur për agjencinë zyrtare të lajmeve IRNA, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në Teheran, Esmaeil Baghaei, tha se gjatë ditëve të fundit janë përcjellë mesazhe përmes “vendeve mike”, që tregonin për një kërkesë të SHBA-së për negociata me qëllim përfundimin e luftës, duke shtuar se Irani është përgjigjur në përputhje me “qëndrimet e tij parimore”.
Ai, sic transmeton agjencia AA, tha se përgjigjet e Iranit përfshinin paralajmërime për “pasoja serioze” në rast të ndonjë sulmi ndaj infrastrukturës jetike të vendit, duke theksuar se çdo veprim që synon objektet energjetike të Iranit do të përballet me një përgjigje “vendimtare, të menjëhershme dhe efektive” nga forcat e armatosura të tij.
Baghaei mohoi gjithashtu se ka pasur ndonjë negociatë apo dialog me SHBA-në gjatë 24 ditëve të fundit që nga shpërthimi i asaj që ai e quajti “lufta e imponuar”.
Ai shtoi se qëndrimi i Iranit lidhur me Ngushticën e Hormuzit dhe kushtet për përfundimin e luftës “nuk ka ndryshuar”.
Reagimi nga Teherani vjen pasi presidenti amerikan Trump tha të hënën se bisedimet e fundit me Iranin kanë qenë “produktive”, duke paralajmëruar edhe një armëpushim, pikërisht për shkak të ecurisë së mirë të këtyre negociatave për të cilat foli ai. /KP/




















