Tahiri kritikon Qeverinë: Reforma e Administratës Publike po nis mbrapsht

E publikuar: 19/03/2026 17:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë për themelimin e Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike, duke e cilësuar atë si një hap të gabuar dhe devijim nga parimet bazë të qeverisjes.

Në një postim në Facebook, Tahiri theksoi se ky vendim “është një devijim i plotë nga parimet bazë të llogaridhënies dhe përgjegjësisë institucionale për reforma në administratë të shtetit”.

Sipas tij, përgjegjësia për Reformën e Administratës Publike duhet të jetë e përqendruar në një institucion të vetëm, konkretisht në Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike.

“Reforma e Administratës Publike ka adresë të qartë, ajo është tek ministria përkatëse dhe përgjegjëse… Pikërisht aty duhet të qëndrojë përgjegjësia, udhëheqja dhe zbatimi i saj,” ka shkruar Tahiri.

Ai ka kritikuar krijimin e një këshilli të ri ministror, duke e konsideruar të panevojshëm, pasi sipas tij, vetë kabineti qeveritar tashmë funksionon si organ kolegjial vendimmarrës.

Tahiri ka propozuar forcimin e rolit të ministrisë përkatëse, duke e cilësuar rithmelimin e saj si hap pozitiv, por ka paralajmëruar se vendimi i fundit “po e zbeh dhe shpërndan përgjegjësinë”.

“Kjo nuk është reformë, por regres. Nuk kemi më një adresë të qartë përgjegjësie, por një trup kolegjial ku përgjegjësia humbet dhe llogaridhënia zbehet,” ka theksuar ai.

Ai ka paralajmëruar për pasojat e mundshme të këtij organizimi, duke shtuar se “që në start po projektohet dështimi dhe nënvlerësimi i një ministrie kyçe për shtetin”.

“Reforma nuk mund të fillojë mbrapsht!” ka shtuar Tahiri.