Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se stërvitjet e ushtrisë serbe me helikopterë dhe parashutistë disa metra larg kufirit me Kosovën, sipas tij, përbëjnë shfaqje të rrezikshme të agresionit.
Kurti tha se kjo shfaqje bëhet edhe më e rrezikshme kur kuptohet se njësia që po ushtronte afër Kosovës, siç tha shefi i qeverisë, është e njëjta që ka trajnuar kryekriminelin Milan Radoiçiq, raporton Ekonomia Online.
“Jemi thellësisht të shqetësuar me demonstrimin e pajustifikueshëm ushtarak të Serbisë me helikopterë dhe parashutistë në zona të banuara me shqiptarë në komunën e Bujanocit, fare pranë kufirit me Republikën e Kosovës. Një shfaqje e tillë e forcës ushtarake mbi shtëpi, shkolla, qendra të mjekësisë, përbën jo vetëm trysni, nxitje tensioni dhe përpjekje për t’i frikësuar banorët atje, e cila ka vite që po përballet me spastrim etnik administrativ nga regjimi autokrat në Serbi, por tregon edhe një provokim të hapur ndaj shtetit tonë të pavarur, të Republikës së Kosovës. Këto provokime në afërsi të brezit kufitar në Karaçevë nga njësia e brigadës 63 të Parashutistëve të Serbisë përmes stërvitjeve me helikopter H-145M dhe kërcënimeve me parashutë disa metra larg kufirit me Republikën e Kosovës përbëjnë një shfaqje të rrezikshme të agresionit. Kjo shfaqje bëhet edhe më alarmuese kur kujtojmë se e njëjta njësi ka trajnuar dhe mbështetur grupin e kriminelit, Milan Radoiçiq, të cilët realizuan sulmin agresor e terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, kur vranë rreshterin policor, Afrim Bunjakun, heroin e Kosovës. Këto lëvizje ushtarake të kombinuara me retorikën nxitëse të presidentit të Serbisë, Vuçiq, se kinse Serbia po përgatitet për një sulm të mundshëm nga një aleancë Kroaci-Shqipëri-Kosovë, si dhe blerja e armatimit kinez dhe rus, konfirmojnë se Serbia po përdor ushtrinë si mjet shantazhi për të mbajtur rajonin e Ballkanit nën tension të vazhdueshëm”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti, shtoi se Beogradi po shfrytëzon këtë moment pikërisht në një kohëkur siguria globale është tejet e brishtë për shkak të agresionit të vazhdueshëm rus në Ukrainë, si dhe tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme me Iranin.
“Në një kohë kur siguria globale është tejet e brishtë për shkak të agresionit të vazhdueshëm rus në Ukrainë, si dhe tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme me Iranin gjithnjë më agresor ndaj fqinjëve, Beogradi po shfrytëzon këtë moment për të sfiduar gatishmërinë e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë dhe në përgjithësi stabilitetin e Ballkanit Perëndimor sipas interesave të Serbisë dhe aleatëve të saj, Rusisë dhe Iranit që duan të kenë trazira, konflikte dhe paqëndrueshmëri gjithandej”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, Serbia këtë po e bën nga dëshpërimi.
“Në anën tjetër duhet të vërejmë se Serbia këtë po e bën nga dëshpërimi i saj. Së pari tash nuk kanë më struktura ilegale e paralele në Kosovë, që të na destabilizojnë e cenojnë së brendshmi, andaj sillen e pështillen rrotull kufirit. Dhe së dyti, Serbia nuk mund ta mbajë më rajonin tonë të Evropës Juglindore peng. Ajo ka ngelur e fundit për nga indekset ndërkombëtare të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Të gjithë ne të tjerët e duam BE-në. Kurse ajo është përcaktuar për Federatën Ruse. Në këtë rast, thirrja jonë për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc është që të mos bien pre e politikave nxitëse e destabilizuese, autokrate e shtypëse. Institucionet e Kosovës mbeten vigjilente dhe të gatshme për t’u përballur me çdo kërcënim”, ka thënë Kurti.
Kurti ka kërkuar që komuniteti ndërkombëtar të ndëshkojë këtë qasje destabilizuese të Serbisë që kërcënon drejtpërdrejt paqen dhe sigurinë rajonale.
“Është koha që komuniteti ndërkombëtar të ndëshkojë këtë qasje destabilizuese të Serbisë që kërcënon drejtpërdrejt paqen dhe sigurinë rajonale. Është koha e fundit që bota demokratike të dënojë veprimet e tilla të përsëritura të Serbisë dhe të ndërmarrë hapa konkretë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, tha ai.



















