Administrata Tatimore e Kosovës njofton se ka filluar zbatimi i Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Italisë për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit dhe shmangies tatimore në fushën e tatimit në të ardhura.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se kjo marrëveshje synon të avancojë marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve dhe të forcojë bashkëpunimin në çështjet tatimore. Përmes saj mundësohet eliminimi i barrës së tatimit të dyfishtë për individët dhe bizneset, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi më të favorshëm për investime dhe aktivitete ekonomike.
Po ashtu, bëhet e ditur se më të njëjtën kohë, marrëveshja adreson parandalimin e evazionit dhe shmangies tatimor, duke kufizuar përdorimin e skemave që çojnë në mos-deklarim apo deklarim jo të saktë. Në kuadër të saj përcaktohen qartë personat e mbuluar dhe mënyra e trajtimit të të ardhurave për qëllime tatimore. Marrëveshja zbatohet për personat rezidentë të njërit apo të të dy shteteve kontraktuese dhe trajton të ardhurat që burojnë përmes subjekteve apo aranzhimeve të ndryshme, në përputhje me legjislacionin përkatës të secilit shtet.
Gjithashtu, marrëveshja siguron respektimin e të drejtave tatimore të shteteve kontraktuese, duke përcaktuar rastet kur përfitimet nga kjo marrëveshje mund të aplikohen.
Zbatimi i kësaj marrëveshjeje përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë, si dhe rritjes së sigurisë ligjore për investitorët dhe bizneset që operojnë në të dy vendet.
“Republika e Kosovës vazhdon të zgjerojë rrjetin e saj të marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën e tatimeve dhe aktualisht ka në fuqi gjithsej 22 marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë me shtete të ndryshme”, thuhet në komunikatë


















