Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë thirrje që të vendosen masa për të frenuar rritjen e çmimeve të naftës.
Ata kanë propozuar ulej të tatimit mbi akcizën për derivatet e naftës dhe lirim të përkohshëm ose ulje të normës së TVSH-së për derivatet e naftës.
“Duke parë rritjen e çmimeve të naftës në Evropë për shkak të zhvillimeve të fundit gjeopolitike, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon ndërhyrje të menjëhershme fiskale për të mbrojtur bizneset dhe qytetarët. Propozimet tona: Ulja e tatimit mbi akcizën për derivatet e naftës, lirim i përkohshëm ose ulje e normës së TVSH-së për derivatet e naftës. Këto masa do të ndihmonin në uljen e çmimeve, lehtësimin e barrës financiare dhe stabilizimin e tregut. Masa të ngjashme janë aplikuar tashmë në disa vende të BE-së dhe rajonit për të frenuar rritjen e çmimeve dhe për të mbrojtur qytetarët. Oda Ekonomike e Kosovës është e gatshme të ofrojë ekspertizën e saj për hartimin e politikave fiskale që mbështesin zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin e tregut në vend”, thuhet në njoftimin e OEK.


















