“Mashtrimet e Kurtit”, Rinia e PDK-së me aksion para qeverisë

E publikuar: 16/03/2026 14:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rinia Demokratike e Kosovës ka mbajtur një aksion para Qeverisë së Kosovës, ku te shkallët e hyrjes së këtij objekti ka hedhur letra me mbishkrime sikur  “mashtrimet e Kurtit”, si dhe “Kurti nuk lëshon pe për ilegalët”.

Përmes këtij aksioni ata kërkuan që të ndalja e strukturave paralele serbe.

Arbnora Salihu nga Rinia Demokratike e Kosovës tha që është mbushur thesi me gënjeshtrat e kryeministrit Kurti.

“E kemi mbushur këtë thes me disa nga gënjeshtrat e Albin Kurtit, i cili deklaronte se i ka çrrënjosur strukturat paralele në pjesën veriore të vendit. Ky thes e shpërfaq qasjen e tij manipulative me fjalë të mëdha në emër të patriotizmit dhe me vepra në dëm të interesit shtetëror”, tha Salihu.

Ajo shtoi se në vitin 2022 është premtuar nga Qeveria se nuk do të ketë tolerancë për këto struktura.

“Në prill të vitit 2022, Kurti premtonte se nuk do të kishte asnjë gram tolerancë ndaj strukturave ilegale. Në qershor të 2023-tës, ai deklaronte se Kosova nuk do të lejojë struktura paralele në veri dhe madje kërcënonte se pjesëtarët e tyre do të shkonin ose në Serbi, ose në burg”, tha Salihu para medieve.

Ajo tha se lejimi i përdorimi i letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia është dorëzim përballë bandave kriminale.

“Por para dy ditësh, më 14 mars 2026, ai bëri të kundërtën duke lejuar përdorimin e letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia. Ky vendim është dorëzim përballë bandave kriminale, është legalizim i strukturave që për dekada kanë minuar sovranitetin e Kosovës. Për më tepër, ky kompromis i dhimbshëm u përshëndet edhe nga Serbia, e cila e konsideron këtë si shmangie katastrofe. Përderisa Albin Kurti flet për mbyllje të strukturave ilegale, Aleksandar Vuçiq po feston për fitore. Ky kontrast është dëshmia më e qartë e mashtrimit”, tha Salihu