Vrasja në Gjakovë, Elezi: Në vendin e ngjarjes u gjet një armë zjarri dhe gëzhoja

E publikuar: 16/03/2026 12:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I dyshuari për vrasjen e rëndë në Gjakovë është i njohur për Policinë e Kosovës dhe aktualisht ndodhet në arrati, ndërsa po ndërmerren masa për lokalizimin dhe arrestimin e tij, kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezi.

Ai tha se rasti është iniciuar si “vrasje e rëndë”, pas të shtënave me armë zjarri në orët e para të mëngjesit në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, ku një person ka humbur jetën në vendngjarje.

“Sot siç e dini në mëngjes, rreth orës 5 e 30, kemi pranuar një informatë se në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë, dy persona meshkuj të moshës madhore janë qëlluar me armë zjarri. Si pasoj e plagëve të marra, njëri nga këta persona ka ndërruar jetë në vendngjarje dhe ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij atje. Menjëherë policia ka ndërmarrë veprimet e saj hetimore. Menjëherë rastit iu kanë përgjigjur njësitë relevante të policisë, kanë dalë në vendngjarje, po ashtu në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit i cili është njoftuar për ngjarjen, në konsultim me të cilin është iniciuar rast “vrasje e rëndë”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor. Aktualisht si drejtori jemi duke ndërmarrë masa për arrestimin e personit të dyshuar, lokalizimin në fakt dhe arrestimin e personit të dyshuar i cili deri më tani gjendet në arrati”, tha ai.

Ai shtoi se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar prova materiale.

“Atë që mund ta ndajmë tash, në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja të armës së zjarrit, po ashtu është gjetur edhe një armë e ftohtë. Kjo është e gjitha që mund të ndajmë aktualisht me publikun duke qenë se jemi në këtë fazë të hetimeve, domethënë në fazën fillestare të hetimeve, jemi në mbledhjen e dëshmive dhe verifikimin e dëshmive të cilat veç janë duke u verifikuar dhe duke u analizuar”, tha ai.

Sipas tij, i dyshuari është person i njohur për organet e rendit.

“I dyshuari për policinë, për drejtorinë rajonale të policisë Gjakovë është i njohur, domethënë e njohim këtë sa i përket edhe pjesës së të dyshuarit”, tha ai./EO