
Albin Kurti_
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me dërgimin e ftesave për partitë politike për konsultime lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit, ka ndërmarrë një veprim që sipas njohësve të së drejtës kushtetuese mund të përbëjë shpërfillje të Masës së Përkohshme të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, me vendimin e datës 9 mars 2026, ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ndalohet çdo veprim i Presidentes së Republikës së Kosovës në lidhje me Dekretin nr. 24/2026 të 6 marsit 2026, si dhe ndalohet çdo veprim i Kuvendit të Kosovës që lidhet me këtë dekret, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.
Sipas vendimit të Gjykatës, masa e përkohshme hyn në fuqi më 9 mars 2026 dhe mbetet në fuqi deri më 31 mars 2026, me qëllim ruajtjen e gjendjes ekzistuese deri në shqyrtimin meritor të çështjes.
Megjithatë, ndërkohë që kjo masë është në fuqi, kryeministri Kurti ka nisur ftesa për partitë politike për konsultime lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit, veprim që po interpretohet nga juristë si tentativë për të avancuar një proces që aktualisht është i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese.
Burime të Gazetës Infokus, njohës të së drejtës kushtetuese, vlerësojnë se fryma e vendimit të Gjykatës është e qartë: asnjë institucion nuk duhet të ndërmarrë veprime që lidhen me procesin për të cilin është vendosur masa e përkohshme.
“Qëllimi i masës së përkohshme është ruajtja e status quo-së deri në vendimin meritor të Gjykatës Kushtetuese. Çdo veprim institucional që synon të avancojë procesin për të cilin është vendosur masa mund të konsiderohet në kundërshtim me frymën dhe qëllimin e këtij vendimi”, kanë thënë për Gazetën Infokus njohës të së drejtës kushtetuese.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese thekson se masa është vendosur ex officio, në përputhje me nenin 116 të Kushtetutës dhe dispozitat përkatëse të ligjit dhe rregullores së punës së Gjykatës.
Në këto rrethana, veprimet e fundit politike kanë hapur debat të ri juridik dhe politik mbi respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe kufijtë e veprimeve të institucioneve deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga kjo gjykatë.


















