​Kurti i përgjigjet Osmanit për zgjedhjet: Nuk ka qenë e mundur të mbahen më 21 dhjetor

E publikuar: 13/03/2026 14:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i është përgjigjur deklaratës së presidentes, Vjosa Osmani sa i përket caktimit të datës së zgjedhjeve më 28 dhjetor.

I pyetur nga KosovaPress lidhur me këtë çështje, ai tha se nuk ka qenë e mundur që të mbahen më 21 dhjetor e as më 4 janar.

“Zgjedhjet e fundit janë mbajtur më 28 dhjetor, për bindjen time të fuqishme zgjedhjet nuk ka qenë e mundur të mbahen më 21 dhjetor për shkak se ekziston edhe shkresa nga sekretariati i KQZ-së, që thotë se kanë të pamundur organizimin e zgjedhjeve për 21 dhjetor për të përmbushur afatet e domosdoshme kohore lidhur me sfidat teknike e logjistike. Mos harroni që ne kishim në tetor dhe nëntor edhe dy raunde të zgjedhjeve lokale dhe hymë në procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ende pa u bërë certifikimi i zgjedhjeve lokale. Prandaj, nuk ka pasur mundësi tjetër për datë përveçse më 28 dhjetor. Nëse ndokush do të mendonte se ka qenë e mundur të organizohen zgjedhjet më 4 janar, as kjo s’ka qenë e mundur për shkak të aspektit buxhetor”, tha ai pas vizitës në QKUK.