Përparimi i Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimi Evropian është ndalur vitet e fundit, thuhet në draftraportin e Parlamentit Evropian për Serbinë, raporton “N1”.
Shqetësimet kryesore lidhen me “gjendjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit”.
Draftraporti i Parlamentit Evropian për Serbinë vlerëson se përparimi i vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është ndaluar praktikisht në vitet e fundit.
“Vitet e fundit përparimi i Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është ndalur, ndërsa shqetësimet janë kryesisht të përqendruara në gjendjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Ekziston një numër i madh çështjesh urgjente që duhet të zgjidhen, veçanërisht polarizimi dhe tensionet e shtuara politike, nevoja për reforma strukturore në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe çështje të tjera të lidhura me BE-në, si dhe nevoja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, së bashku me përafrimin e plotë me politikën e jashtme të BE-së”- thuhet në draftraportin e raportuesit për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula
Në dokument thuhet gjithashtu se Serbia nuk ka arritur përparim të rëndësishëm në përmbushjen e kushteve për anëtarësim në shumë kapituj negociues.
Draftraporti shpreh shqetësim edhe për situatën politike në Serbi, në kontekstin e protestave masive që po mbahen atje që nga nëntori i vitit 2024.
“Këto protesta pasqyrojnë pakënaqësi të thellë të rrënjosur mes qytetarëve dhe studentëve, të cilët kërkojnë përgjegjësi dhe reforma të lidhura me sundimin e ligjit”.
Po ashtu përmendet edhe sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023 ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. Bëhet thirrje që autorët e sulmit, veçanërisht kryeterroristi Milan Radoiçiq, të ndiqen penalisht.
“Presim që Kosova dhe Serbia të bashkëpunojnë plotësisht dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme që autorët e sulmit terrorist në Banjskë në vitin 2023 të sillen shpejt para drejtësisë dhe shprehim keqardhje për faktin se Serbia ende nuk i ka ndjekur penalisht autorët, veçanërisht Milan Radoiçiqin, nënkryetar i Listës Serbe”, thuhet në dokument.


















