Njësitet e Hetimeve të Kryeqytetit kanë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në disa vjedhje të rënda në zona të ndryshme të Kryeqytetit, pas një pune intensive hetimore dhe operative.
Të dyshuarit, A.D., 47 vjeç, dhe H.M., 48 vjeç, janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e 27 veprave penale të tipit “Vjedhje e rëndë”. Sipas policisë, gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale që mbështesin dyshimin për përfshirjen e tyre në këto raste.
Po ashtu, janë realizuar kontrolle në vendbanimet e të dyshuarve, ku janë sekuestruar prova shtesë që lidhen me veprat penale të dyshuara. Hetimet janë zhvilluar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, me qëllim identifikimin dhe ndriçimin e plotë të rasteve.
“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë,” bëhet e ditur në komunikatën e policisë.



















