Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pezulluar Aleancën Kosova e Re për shkak të mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor brenda afatit ligjor.
Sekretari i KQZ-së, Besnik Buzhala tha se AKR-ja ka qenë e obliguar ta mbajë kuvendin zgjedhor deri më 25 shkurt.
“Partia politike Aleanca Kosova e Re, e regjistruar në KQZ në vitin 2007, ka qenë e obliguar që deri më 25 shkurt 2026 të mbajë kuvendin zgjedhor të radhës. Më 4 dhe 24 shkurt 2026, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) ka njoftuar këtë subjekt politik për obligim ligjor, por pavarësisht këtyre njoftimeve, nuk janë ndërmarrë veprimet për përmbushjen e këtij obligimi ligjor. Andaj, duke u mbështetur në këtë, KQZ mori vendim për pezullimin e partisë politike, Aleanca Kosova e Re dhe ta obligojë atë, që në një afat shtesë prej 45 ditësh, ta mbajë konventën/kuvendin e saj. Në rast të mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor as pas këtij afati, KQZ do ta regjistrojë këtë parti politike nga regjistri i partive politike në Kosovë”, tha Buzhala.

















