Dy kosovarë janë dënuar me burgim dhe janë gjobitur.
Ata u shpallen fajtor për mashtrim ndaj shtetit austriak, konkretisht, sigurimeve shoqërore në shumë prej 3.8 milionë eurosh.
Seanca gjyqësore u mbajt të martën në Linz, ndaj tre kontraktorëve të ndërtimit nga Kosova.
I akuzuari kryesor, u dënua me tre vjet e tre muaj burgim e po ashtu duhet t’i paguajë shtetit 500 mijë euro.
Derisa, i akuzuari i dytë, një 39 vjeçar u dënua me 24 muaj burgim, gjashtë prej të cilave ai duhet t`i vuajë pa kushte, ndërsa pjesa tjetër me kusht për tre vjet.
Edhe ky duhet të paguajë një gjobë prej 100 mijë eurosh, shkruan Orf.at.
E së bashku, ata gjithashtu duhet t`i paguajnë më shumë se 3.8 milionë euro dëme Fondit Austriak të Sigurimeve Shëndetësore (ÖGK), që ishte pala kryesor e dëmtuar.
Kurse, e akuzuara e tretë, një grua 37-vjeçare u lirua nga akuzat për mungesë provash.
Sipas aktakuzës, gjatë një periudhe trevjeçare, më shumë se 4 mijë punëtorë të huaj u regjistruan në sigurimet shoqërore dhe më pas u ç’regjistruan.
Përmes këtyre regjistrimeve, punëdhënësit mashtruan sistemin e sigurimeve shoqërore me kontributet e punëdhënësit që duhej të paguanin.
Punëtorë me dokumente të falsifikuara
Hetimi u iniciua nga inspektimet e kantiereve të ndërtimit në Steiermark, të cilat zbuluan parregullsi.
Autoritetet u vunë në dijeni lidhur me tre kontraktorët, kur disa punëtorë paraqitën dokumente të falsifikuara.


















