Kosova u përball me inflacion 6% në shkurt, krahasuar me shkurtin e vitit 2025

E publikuar: 10/03/2026 23:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin shkurt 2026.

Sipas raportit, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është rritur mesatarisht për 6,0% krahasuar me shkurtin e vitit 2025. Ndërsa inflacioni mujor ishte 0,6% në shkurt 2026.

ASK shpjegon se kjo rritje prej 6% është për shkak të ngritjes së çmimeve në disa grupe dhe nëngrupe të COICOP-it:shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (42,5 %); bileta të fluturimeve (39,0 %); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (33,4 %); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (16,8 %); pemë (16,4 %); mirëmbajtje dhe riparim të pajisjeve personale të transportit (15,1 %); mish (14,7 %).

Rritje të konsiderueshme janë vërejtur edhe te pushimet e organizuara (13,2%), shërbime ambulantore (9,6%), shërbime hoteliere (9,5%), kafe, çaj dhe kakao (9,3%), peshq (8,0%), sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (7,4%), vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (6,7%), kujdes personal (6,6%), perime (6,4%), pije alkoolike (6,4%), mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (6,1%), si dhe qumësht, djathë dhe vezë (5,6%).

Sipas ASK-së, rritje të tjera janë vërejtur edhe te mirëmbajtja dhe rregullimi i vendbanimit (5,5%), prodhime ushqimore (5,4%), gjëra personale (5,2%), bukë dhe drithëra (5,2%), duhan (4,2%), produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje (3,9%), mobilie dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (3,9%), veshje (3,3%), vajra dhe yndyra (3,1%), ujë mineral, pije joalkoolike dhe lëngje nga pemët dhe perimet (2,7%), me një ndikim të përbashkët prej 6,4% në IHÇK.

Nga ana tjetër, rënie e çmimeve është vërejtur te grupi karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (-7,6%), me një ndikim prej -0,4% në IHÇK.

Sa i përket krahasimit mujor, periudha shkurt 2026 vs janar 2026 tregon një inflacion prej 0,6%. ASK sqaron se kjo rritje është kryesisht për shkak të: “Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0,6 % në muajin shkurt 2026, krahasuar me muajin janar 2026. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (24,4 %); perime (5,8 %); pemë (4,0 %); pajisje audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave (3,8 %)”.

“Shërbime ambulantore (2,4 %); mish (2,4 %); shërbime hoteliere (1,9 %); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (1,9 %); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (1,7 %); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (1,5 %); pajisje shtëpiake (1,4 %); kafe, çaj dhe kakao (1,3 %); kujdes personal (1,3 %); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (1,2 %); bukë dhe drithëra (0,6 %) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,1 për qind në IHÇK”, u tha në njoftimin e ASK-së.

Ndërkohë, rënie e çmimeve muajore është vërejtur te: bileta të fluturimeve (-18,2%), energjia elektrike (-4,3%) dhe qumështi, djathi dhe vezët (-2,8%), me një ndikim prej -0,5% në IHÇK.