Administrata Trump refuzoi ofertën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në gusht të vitit të kaluar për të ndarë informacionet teknologjike për rrëzimin e dronëve iranianë Shahed, një vendim që zyrtarët amerikanë tani e konsiderojnë si një nga gabimet taktike më të kushtueshme që nga fillimi i luftës me Iranin, raporton Axios.
Në një takim në Shtëpinë e Bardhë më 18 gusht, Zelensky i paraqiti presidentit amerikan Donald Trump një propozim për dronë interceptues dhe krijimin e “qendrave luftarake me dronë” pranë bazave amerikane në Lindjen e Mesme.
Trump i kërkoi ekipit të tij të ndiqte çështjen, por asgjë nuk ndodhi, tha një zyrtar ukrainas për Axios.
Uashingtoni ndryshoi qasjen pas sulmeve hakmarrëse të Iranit, të cilat filluan pasi SHBA dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit.
Kundërsulmet iraniane nxorën në pah boshllëqet në mbrojtjen ajrore amerikane.
“Nëse ka pasur një gabim taktik ose gabim që bëmë para kësaj lufte, ky ishte ai”, tha një zyrtar.
Zelensky konfirmoi të hënën për “The Neë York Times” se Kievi dërgoi dronë interceptues dhe një ekip specialistësh për të mbrojtur bazat ushtarake amerikane në Jordani, pas një kërkese zyrtare amerikane të enjten.
“Ukraina ndihmon partnerët që ndihmojnë për sigurinë tonë”, shkroi Zelensky më herët në platformën X, transmeton RTSH.
Përshkallëzimi në Lindjen e Mesme shpërtheu kur Izraeli dhe SHBA nisën një sulm të përbashkët ndaj Iranit më 28 shkurt, i cili deri më tani ka vrarë më shumë se 1,200 persona, duke përfshirë udhëheqësin suprem Ayatollah Ali Khamenei.
Teherani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa ndaj Izraelit, si dhe vendeve të Gjirit që presin asete ushtarake amerikane, ndërsa tetë ushtarë amerikanë janë vrarë që nga fillimi i fushatës.



















