Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos.
Sipas njoftimit të lëshuar nga ZKM, ata kanë diskutuar për zgjerimin dhe ecurinë e reformave të Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Qeveria ka thënë se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet kyç, dhe se Kurti ka nënvizuar rëndësinë e marrjes së statusit kandidat.
“Kryeministri Kurti theksoi se ndër vendimet e para të Kuvendit të Republikës së Kosovës, krahas miratimit të buxhetit të ri në vlerë prej 4 miliardë euro, ishte edhe miratimi i Planit të Rritjes në vlerë prej 882.6 milionë euro, i cili synon përshpejtimin e reformave dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Pas miratimit të Planit të Rritjes, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë paraparë një sërë hapash për zbatim, të ndërlidhur ngushtë me kalimin e ligjeve në Kuvend, që kapin vlerën rreth 90 milionë euro”, thuhet në njoftim.
Ata kanë folur edhe për zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon.
“Kosova është e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe i është bashkuar të gjitha pakove të sanksioneve të BE-së kundër Federatës Ruse, në përgjigje të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.


















