Nagavci: VV do ta kishte propozuar Osmanin me 30 nënshkrimet e deputetëve të saj

E publikuar: 06/03/2026 22:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Arbërie Nagavci, shefe e Grupit Parlamentar të VV-së, tha se ata kanë ofruar edhe 30 nënshkrime për Vjosa Osmanin, nëse ajo do të ishte e gatshme të vazhdonte në garë për presidente.

Ajo tha se, përkundër disa deklaratave, VV do ta kishte propozuar Osmanin me 30 nënshkrimet e deputetëve të saj, por sipas saj Osmani nuk ka qenë e interesuar për këtë. Nagavci shtoi se Osmani kishte kërkuar një garanci, të cilën VV nuk e kishte pasur as për kandidatin e vet, gjë që sipas saj edhe u dëshmua më vonë.

“Duhet ta bëj të qartë edhe një gjë LDK, siç e përmendëm, ka 15 deputetë. Sikur ajo t’i kishte firmat e 15 deputetëve, ne do të ofronim edhe 15 firma të tjera, që nënkupton se automatikisht Osmani do të kishte mbështetje përtej grupit tonë parlamentar dhe partnerëve tanë”, tha ajo në RTK.

Përveç kësaj, duke e ditur përtej një deklarate se nuk kemi pasur asgjë kundër kandidimit të Osmanit, kemi parë deklarata publike të deputetëve të LDK-së të cilët kanë thënë se nuk do ta mbështesin asnjë kandidat që propozon Lëvizja, në këtë rast as zonjën Osmani për presidente.

Ndërkohë, edhe PDK e ka bërë të qartë se nuk do ta mbështesë Osmanin. Po ashtu edhe deputetët e AAK-së. Haradinaj ka shprehur publikisht se synon të jetë kandidat për president, për çka ka bërë të ditur se ka kërkuar nënshkrimet e dy partive të tjera”, tha ajo.