Osmani: Vendi i Republikës së Kosovës ka dështuar të përmbushë një nga obligimet e tij themelore kushtetuese

E publikuar: 06/03/2026 09:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Kuvendi ka dështuar të përmbush një nga obligimet kushtetuese, duke thënë se Kushtetuta nuk funksionon me logjikën e komoditetit politik.

“Vendi i Republikës së Kosovës ka dështuar të përmbushë një nga obligimet e tij themelore kushtetuese. Kushtetuta nuk është shkruar për interpretime që relativizojnë peshën e saj. Ajo është shkruar për ta garantuar funksionimin e shtetit. Funksionimin. Jo zvarritjet, jo mosfunksionimin, por funksionimin e shtetit. Dhe Kushtetuta është po aq e qartë për pasojat që rrjedhin kur Kuvendi dështon të kryejë detyrat e veta. Ajo e parashikon qartë se një Kuvend që nuk arrin të zgjedhë Presidentin nuk mund të vazhdojë pafundësisht të zvarrisë procesin siç po tentohet, por përballet me një mekanizëm të qartë kushtetues që çon në shpërndarjen e tij. Përmbi të gjitha, neni 82 dhe 86 i Kushtetutës duhet të lexohen së bashku. Edhe vetë Gjykata Kushtetuese ka theksuar se normat kushtetuese interpretohen në ndërlidhje me njëra-tjetrën e jo të izoluara. Çfarë do të thotë kjo në praktikë? Do të thotë se procedura për zgjedhjen e Presidentit, edhe pse mund të fillojë deri 60 ditë para afatit të fundit, nuk mund të shtyhet më tej, por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Pra afati përfundimtar është i qartë, ka qenë mbrëmë në mesnatë dhe Presidenti nuk mund të zgjidhet pas këtij momenti. Deputetët e Kuvendit kanë pasur në dispozicion 23 ditë për të kryer këtë detyrë kushtetuese nga momenti i konstituimit të tij. Ata vendosën që mos ta bëjnë këtë dhe ky është realiteti institucional me të cilin përballemi sot. Fakti që Kuvendi ka zgjedhur të mos i shfrytëzojë ditët që i kishte në dispozicion nuk e ndryshon Kushtetutën tonë, nuk e shtyn afatin e mbi të gjitha nuk e zhbën detyrimin tim të qartë kushtetues që ta shpërndaj këtë Kuvend i cili dështoi”, tha ajo.

Osmani po ashtu ka thënë se asnjë kërkesë për masë të përkohshme në Gjykatën Kushtetuese nuk e pezullon automatikisht rrjedhjen e afatit kushtetues

“Kushtetuta nuk funksionon me logjikën e komoditetit politik, ajo funksionon me logjikën e përgjegjësisë institucionale. Asnjë kërkesë për masë të përkohshme në Gjykatën Kushtetuese nuk e pezullon automatikisht rrjedhjen e afatit kushtetues. Vetëm një vendim i Gjykatës do të mund ta bënte një gjë të tillë. Dhe një vendim i Gjykatës nuk ekziston deri në këto momente. Prandaj sot nuk kemi një situatë të hapur interpretimi, kemi një situatë ku afati kushtetues tashmë ka përfunduar. Në këto rrethana gjuha e Kushtetutës është e detyrueshme. Neni 82 nuk thotë se Presidenti mund të zgjidhet deri 30 ditë para afatit, thotë: duhet, duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Pra kjo nuk është një kompetencë diskrecionale, është një detyrim kushtetues dhe për këtë arsye në përputhje me nenin 82 dhe nenin 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës kam vendosur ta shpërndaj Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të shpall zgjedhjet e reja pas konsultimeve të cilat do t’i mbaj me partitë politike”, theksoi ajo.