Ministria e Mbrojtjes është në fazën e analizës përfundimtare se çfarë trupash të Forcës së Sigurisë do të zbarkojnë në Gaza.
Ministri, Ejup Maqedonci thotë për KosovaPress se do të ketë një kombinim të kapaciteteve, meqë sipas tij nuk do ketë vetëm tipike ushtarake por edhe me deminim dhe kërkim-shpëtim. Ai nënvizon se pjesëmarrja e Kosovës në Forcën Stabilizuese për Gazën është një vendim strategjik për vendin, pavarësisht rrezikut që mund të paraqitet.
“Aktualisht, kur po flasim, jemi në fazën, mund të themi, të analizës përfundimtare se me çfarë trupash do të dislokohemi në, mund të themi, në Lindjen e Mesme për operacionin në kuadër të forcës stabilizuese. Bashkë me komandantin e FSK-së, jemi në fazat e fundit të përcaktimit për kapacitetet. Mirëpo, çka mund të them këtu është që do të kemi një kombinim të kapaciteteve, nuk do të ketë vetëm kapacitete tipike ushtarake, por nuk do të ketë as vetëm kapacitete tipike që kanë të bëjnë me deminim, me kërkim-shpëtim. Pra, do të jetë një kombinim. Mirëpo, ende jemi në pritje, mund të themi, të analizave, por edhe të një koordinimi përfundimtar me komandantin e forcës stabilizuese, gjeneralin amerikan, për të ardhur në përfundim se çfarë kapacitete do të kemi”, thotë ai.
Sipas tij, pas miratimit të marrëveshjes në Qeveri dhe Kuvend, FSK-ja do të dërgojë disa njësi në Gaza për vlerësim të aspektit të rrezikut, duke marrë parasysh se në ky territor ende është një luftë aktive.
I pyetur se kush i ka meritat për pjesëmarrjen e FSK-së në Forcën Stabilizuese në Gaza si dhe anëtarësimin në Bordin e Paqes, Maqedonci tha se arritjet shtetërore të Kosovës janë meritë e të gjitha institucioneve.
Por, sqaron se ky dhe kryeministrit Albin Kurti janë angazhuar për pjesëmarrje në Forcën Stabilizuese në Gaza i cili po ndërtohet bazuar në rezolutën e OKB-së. Ndërkaq, shton se Bordi i Paqes është një iniciativë e ShBA-së që merret më shumë me administrimin politik të paqes dhe sigurisë në botë.
Krahas kësaj, Maqedonci shpjegon edhe faktin interesant se si ushtria e Kosovës po merr pjesë në ruajtjen e paqes në Gaza, ndërsa në Kosovë këtë punë e kryejn trupat të KFOR-it.
Ai thotë se një gjë e tillë është e rregulluar me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por shton se ndërtimi i kapaciteteve të FSK-së do të bëjë që viteve në vijim të ketë një dialog me NATO-n rreth çështjes së kompetencave dhe përgjegjësive të sigurisë në Kosovë.


















