Një punonjës ka humbur jetën sot si pasojë e një incidenti të rëndë të ndodhur në Termocentralin “Kosova B”, në Obiliq.
Sipas njoftimit zyrtar të Korporatës Energjetike të Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 27 shkurt 2026 dhe në të është përfshirë një mjet transportues (kamion) dhe një punonjës.
Si pasojë e incidentit, një punonjës mashkull kosovar, 55 vjeç, ka pësuar lëndime të rënda. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë zyrtarët e KEK-ut, Policia e Kosovës dhe ekipet mjekësore, të cilat kanë konstatuar se viktima ka ndërruar jetë.
KEK sh.a. ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke theksuar se autoritetet përkatëse janë duke e trajtuar rastin në përputhje me procedurat ligjore.


















