Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar 18 ankesa, prej të cilave ka miratuar dy, një e ka miratuar pjesërisht, nëntë i ka refuzuar dhe pesë i ka shpallur të patrajtueshme, ndërsa një është zgjidhur me ndërmjetësim.
Ankesat kishin të bënin me pretendime për shkelje të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, kryesisht lidhur me raportimin e së vërtetës, të drejtën për t’u përgjigjur, prezumimin e pafajësisë dhe privatësinë
Postimi plotë!
KUVENDI I KMShK-së MORI VENDIM PËR 18 ANKESA
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej 18 ankesa. Anëtarët e Kuvendit të KMShK-së kanë vendosur që të miratohen dy nga to, një të miratohet pjesërisht, nëntë të refuzohen dhe pesë ankesa të shpallen të patrajtueshme. Ndërkaq, për një ankesë është konstatuar se është zgjidhur me ndërmjetësim mes palëve.
Ankesat kishin të bënin me pretendimet për shkeljen e kapitujve të caktuar të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, përkatësisht Kapitullit II – Raportimi i së vërtetës, Kapitullit III – Nxitja dhe gjuha e urrejtjes, Kapitullit IV – E drejta për t’u përgjigjur, Kapitullit V – Personat e përfshirë në incidente, aksidente, të arrestuar apo të akuzuar për vepra penale, Kapitullit VII – Privatësia dhe mbrojtja e burimeve dhe Kapitulli XI – E drejta e autorit.
KMShK ka miratuar ankesën e Adrijana Hoxhiqit, përfaqësuar nga avokati Arbër Shala, kundër Ditori.com, për shkrimin me titull “Adrijana Hoxhiq presion punëtorëve shqiptarë për t’u larguar nga puna, që janë në periudhën provuese 6 mujore në veri të Mitrovicës”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës.
KMShK ka miratuar ankesën e Elbunit Kryeziut kundër Rahoveci24.com për shkrimin me titull “Puna e kryetarit Smajl Latifi si gjithnjë nuk ndalet, e detyron doktorin e Prolab-it dhe drejtorin e QKMF, Elbunit Kryeziu ta aktivizojë laboratorin në QKMF”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës.
KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) kundër Insajderi.org për shkrimin me titull “Skemë e madhe krimi me tenderë, si funksionoi grupi i Ministrisë së Arsimit në Qeverinë Kurti II që dëmtoi buxhetin afro 6 milionë euro”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli V i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me prezumimin e pafajësisë, por jo edhe Kapitulli II, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, ashtu siç pretendon pala ankuese.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Green Med Sh.P.K., përfaqësuar nga avokatja Blinera Osmani, për shkrimin me titull “’Inteligjenca e Doganës nis hetimet ndaj ‘Green Med’: Nëna inspektore në shëndetësi, i biri biznes me produkte medicinale’”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjnë me raportimin e së vërtetës, ashtu siç pretendon pala ankuese.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Avni M. Lecit kundër Gazetaekskluzive.com për shkrimin me titull “Besnik Berisha, kryetari i OAK kërcënon avokatin Leci: Nëse nuk e realizon pagesën vjetore do e humbësh të drejtën e ushtrimit të avokatisë!”, duke konstatuar se nuk janë shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht Kapitulli IV, i cili ka të bëjnë me të drejtën për t’u përgjigjur, ashtu siç pretendon pala ankuese.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Institutit KAF kundër Kallxo.com
për shkrimin me titull “Zyra Kombëtare e Auditimit paguan trajnime për stafin në Institutin ku ligjërues është zv/Auditori i Përgjithshëm”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, ashtu siç pretendon pala ankuese.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Postës dhe Telekomit të Kosovës kundër Indeksonline.net, Infosot.com, Periskopi.com dhe Demantim.com për shkrimet me tituj “Telekomi i Kosovës shpërndan miliona me kontrata njëburimore për kompani të huaja”, “Pa garë dhe pa konkurrencë: Telekomi i Kosovës i jep 72 mijë euro një kompanie nga Shkupi”, “100 mijë euro tender njëburimor nga Telekomi i Kosovës, shpërblehet një kompani nga SHBA”, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, ashtu siç pretendon pala ankuese.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Ilirjana Çollaku – Tafës kundër Insajderi.org për shkrimin me titull “Rënia e Sami Mazrekut – Si u mbrojt me heshtje nga PSRK dhe si u fundos nga një auditim i brendshëm”, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, ashtu siç pretendon pala ankuese.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Nexhmedin V. Grudës kundër Ekonomiaonline.com për shkrimin me titull “Banorët e Zabelit të Ulët ankohen për mungesë intervenimi pas vërshimeve, komuna thotë se po vlerësohen dëmet”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, ashtu siç pretendon pala ankuese.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Klinikës Amerikane “Dr. Behar Kusari”, përfaqësuar nga avokatja Albulena Ukimeraj, për shkrimin me titull “’M.V.: Humba testisin pas gabimeve të mjekut në Klinika Amerikane’ – inspektorati gjobë qesharakepër punën ilegale të Dr. Ekrem Sefiu”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, ashtu siç pretendon pala ankuese.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Union Sh.P.K. kundër Insajderi.org për shkrimin me titull “Firma e biznesmenit Xhabir Kajtazi kapet edhe një herë nga AUV-i – dyshime shqetësuese për toksinën në qumështin për fëmijë”, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II, IV, V dhe VII të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, përkatësisht prezumimin e pafajësisë, përkatësisht privatësinë, ashtu siç pretendon pala ankuese.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Bejtullah Deliut, përfaqësuar nga avokati Fatbardh Makolli, kundër Kallxo.com, për shkrimin me titull “Rrëfimi i investitorit që denoncoi pazaret në Komunën e Rahovecit”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, ashtu siç pretendon pala ankuese.
KMShK e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Construmax Sh.P.K., përfaqësuar nga avokati valdrin Behrami, kundër Prishtina Sot, faqe në rrjetin social në Facebook, pasi që nuk ka kompetencë të trajtojë përmbajtjet mediale të publikuara në rrjete sociale.
KMShK e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Ensar Shaqirit kundër Radio Dukagjinit, pasi që nuk ka kompetencë të trajtojë përmbajtjet mediale të publikuara në rrjete sociale.
KMShK e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Bashkësisë Islame – Xhamia e Wilit, përfaqësuar nga avokati Asdren Bytyqi, kundër Klankosova.tv dhe Tv Klan Kosova. Pala ankuese nuk ka ofruar prova për përmbajtjen e publikuar në median online, rrjedhimisht KMShK e ka pasur të pamundur të vendos. Kurse për përmbajtjen e transmetuar në televizion, KMShK i rekomandon pales që t’i drejtohet Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).
KMShK e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Merrushe Ahmetit kundër Gazeta Albapoli, faqe në rrjetin social Instagram, pasi që nuk ka kompetencë të trajtojë përmbajtjet mediale të publikuara në rrjete sociale.
KMShK e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Bojan Niçiqit kundër Gazetademnos.com, pasi që nuk ka kompetencë të trajtojë komentet e lexuesve në rrjete sociale.


















