“Në SHBA do t’i prezantohet plani i fshehtë për njohjen e Kosovës”, Gjuriq i reagon nga Uashingtoni ish -diplomatit serb

E publikuar: 26/02/2026 19:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka reaguar nga Uashingtoni ndaj deklaratave të ish-diplomatit serb Nebojsha Vujoviq, i cili pretendoi se gjatë vizitës në SHBA atij i është prezantuar një marrëveshje e fshehtë dhe detyruese për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Sipas raportimit të mediumit serb Kossev,Gjuriq i ka cilësuar këto pretendime si “të pavërteta dhe të sajuara”.

Vujoviq kishte deklaruar se Gjuriq është ftuar në Uashington për t’u informuar nga zyrtarë amerikanë për një plan që do ta çonte Serbinë drejt formalizimit të njohjes së Kosovës, duke shtuar se një zhvillim i tillë do t’i shërbente edhe kalkulimeve politike të presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Këto deklarata kanë nxitur reagimin e menjëhershëm të kryediplomatit serb gjatë qëndrimit të tij treditor në SHBA.

Duke folur para mediave në Uashington, Gjuriq tha se është “e pabesueshme” që një ish-përfaqësues diplomatik i Serbisë në SHBA të bëjë pretendime të tilla.

Ai ka shtuar se gjatë takimeve është diskutuar edhe për Kosovën, por nga “një këndvështrim krejtësisht i kundërt” ndryshe nga ai që pretendon Vujoviq.

Gjuriq ka pretenduar se në takimet me zyrtarë amerikanë është folur për të drejtat e serbëve në Kosovë dhe për zhvillimin e bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Serbisë, duke pretenduar se qëndrimet e Beogradit po merren në konsideratë në Uashington.

Sipas tij, dallimet mes SHBA-së dhe Serbisë mbeten, veçanërisht për zhvillimet e 30 viteve të fundit, por ekziston hapësirë për avancimin e dialogut strategjik mes dy vendeve. /Gazeta Express