Gjatë së enjtes, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës Glauk Konjufca mbajti takim me ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë Sh.T. Olivier Guerot në kuadër të takimeve të para pas formimit të qeverisë.
Në këtë takim ambasadori Guérot e uroi zëvendëskryeministrin Konjufca për detyrën dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Francës për vazhdimin e partneritetit me Republikën e Kosovës.
Gjatë takimit, sipas MPJD-së u diskutua forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe për thëllimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
“Theks i veçantë iu kushtua mundësive për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe nxitjen e investimeve, si dhe forcimit të lidhjeve kulturore dhe akademike ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Ndërkaq, ministri Konjufca në takim theksoi rëndësinë e koordinimit me Francën për realizimin e objektivave ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë avancimin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.















