Qytetarët mbështesin vazhdimin e mandatit të Vjosa Osmani: Nuk ka kush e zëvendëson

E publikuar: 25/02/2026 09:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill, ndërsa afati i fundit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit është 4 marsi. Teksa partitë politike ende nuk kanë bërë të qartë nëse i kanë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, qytetarët shprehen kryesisht në mbështetje të vazhdimit të mandatit të Osmanit, duke vlerësuar punën e saj në krye të shtetit.

Qytetari Halil Doda për Ekonomia Online tha se Osmani e ka dëshmuar veten gjatë mandatit të saj dhe se nuk sheh ndonjë alternativë më të mirë për këtë post.

“Vjosa Osmani e ka kry universitetin e Harvardit, universiteti i cili përgatit vetëm kuadra politike. Ajo që pesë vjet ka treguar që është e aftë, është me Amerikën, është me Perëndimin, edhe hiç veç kanë me u lodhë se asnjë nuk kanë me mujt me zëvendësu Vjosën. Vjosa e ka të siguruar edhe një mandat pesë vjeçar”, u shpreh ai.

Ndërsa Besim Ademi thotë se Osmani duhet të marrë mbështetje të drejtpërdrejtë nga qytetarët dhe se sipas tij, ajo është figura më e përshtatshme për të udhëhequr vendin.

“Atë duhet ta votojë populli se është e aftë edhe nuk kemi në Kosovë më të aftë se e bekumja Vjosa Osmani”, tha ai.

Ademi u shpreh se nuk ka kandidatë tjetër më të denjë se Osmani.

“Mendoj që duhet me pas se s’kemi ne tjetër kuadër më të mirë se ajo. Edhe e meriton me pas atë post. E bekume është. Është e aftë që s’kemi kuadra më të aftë se ajo. Edhe të fala i bën”, theksoi ai.

Edhe Agim Avdiu për Ekonomia Online tha se Osmani duhet të jetë sërish në krye të shtetit, duke vlerësuar punën e saj gjatë këtij mandati.

“Patjetër duhet me u bë presidente, me vazhdu mandatin, nuk ka kush e zëvendëson për momentin”, tha ai.

Se a do t’i ketë votat Osmani, ai tha se ende është e paqartë.

“E këtë nuk e di. Kjo pikëpyetje. Për momentin veç Vjosës kërkush nuk e meriton më shumë. Ka punu mirë edhe punon mirë edhe është presidente e mrekullueshme”, theksoi tutje Avdiu.

Ndërkaq, nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin brenda afatit që është deri më 4 mars, vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh./eo