Vikar Gjeneral i Dioqezës Prizren-Prishtinë Dr. Dom Shan Zefi doli me, siç e quajti, deklaratë përfundimtare në lidhje me intervistë të tij dhënë radios gjermane Deutschlandfunk.
Dom Zefi theksoi se pretendimi se kinse ka thënë se një shqiptar mysliman nuk ka shpirt shqiptari është shpifje e pastër.
Deklaratë përfundimtare për opinionin publik
Lidhur me intervistën time në radion gjermane Deutschlandfunk dhe keqinterpretimet që pasuan në disa media dhe rrjete sociale, ndiej për detyrë morale dhe publike të jap këtë deklaratë përfundimtare dhe sqaruese.
Pas komunikimit zyrtar me autorin e dokumentarit, z. Benedikt Schulz, dhe pas korrigjimit të përkthimit të diskutueshëm, tashmë është vërtetuar në mënyrë të qartë dhe të pakontestueshme se deklaratat e mia janë shtrembëruar dhe interpretuar gabimisht. Teksti i korrigjuar dhe konteksti i plotë në gjuhën shqipe dhe gjermane dëshmojnë pa asnjë dyshim se unë kam thënë të vërtetën dhe qëndroj edhe sot plotësisht pas saj.
Unë asnjëherë nuk kam deklaruar dhe as nuk kam menduar se përkatësia fetare e një shqiptari përcakton shpirtin e tij kombëtar. Pretendimi se kinse kam thënë se një shqiptar mysliman nuk ka shpirt shqiptari është një shpifje e pastër dhe një falsifikim i fjalëve të mia, i cili nuk ka asnjë mbështetje në intervistën origjinale.
Prandaj kërkoj që opinioni publik, brenda dhe jashtë Kosovës, ta njohë të vërtetën ashtu siç është. Ata që janë marrë me shtrembërime, shpifje dhe ofendime ndaj meje kanë detyrimin moral që t’i kërkojnë falje opinionit publik për keqinformimin e përhapur dhe për dëmin e shkaktuar ndaj së vërtetës dhe harmonisë ndërmjet shqiptarëve.
Megjithëse në këtë rast jam plotësisht i pafajshëm, kërkoj ndjesë nga të gjithë ata që mund të jenë ndier të lënduar ose të ofenduar nga mënyra se si është interpretuar intervista ime. Këtë e bëj në frymë përgjegjësie dhe mirëkuptimi, e jo për faj që nuk e kam. Në të njëjtën frymë kërkoj që edhe të tjerët të tregojnë përgjegjësi morale dhe qytetare.
Në këtë periudhë të shenjtë të Kreshmëve dhe të Ramazanit u shpreh urimet më të mira të gjithë besimtarëve, me dëshirën e sinqertë për mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë ndërmjet bijve të të njëjtit popull, të bashkuar nga gjaku, gjuha dhe tradita.
Të gjithëve u premtoj lutjet e mia, sidomos në këtë periudhë të rëndësishme shpirtërore, për paqe, mirësi dhe bashkim ndërmjet njerëzve.
Me këtë deklaratë kjo çështje konsiderohet përfundimisht e mbyllur. Nuk do të ketë reagime apo polemika të mëtejshme nga ana ime, sepse e vërteta tashmë është sqaruar plotësisht. Me këtë përfundon kjo shpifje gazetareske, me ose pa qëllim.
Me respekt,
Dr. Dom Shan Zefi
Vikar Gjeneral i Dioqezës Prizren-Prishtinë



















