Një rast i rëndë i fajdesë është zbuluar në Rahovec, ku një qytetar dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme duke e ngarkuar viktimën me kamata të jashtëzakonshme.
Burime të Sinjalit nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se viktima H.F. (40- vjeçar) është paraqitur më 19.02.2026 në DRP–Gjakovë, ku ka deklaruar se kishte marrë hua në vlerë prej 7 mijë euro për nevoja shëndetësore, ndërsa deri më tani kishte paguar rreth 14 mijë euro vetëm kamata.
Pas pranimit të kallëzimit, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Sektorin Rajonal të Hetimeve në Gjakovë, kanë zbatuar masa të veçanta hetimore.
Si rezultat i operacionit, i dyshuari Mifterim Isma (62- vjeçar) është arrestuar në flagrancë, në momentin kur po merrte pagesën e kamatës nga viktima.
Me urdhër të Gjykatës është realizuar kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që lidhen me rastin.
Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.


















