Trajneri i xhudos Driton Kuka ka theksuar rolin e jashtëzakonshëm të sportit në promovimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke vlerësuar se suksesi sportiv shpesh ka arritur atje ku politika ende has vështirësi.
Kuka ka nënvizuar se përmes rezultateve të sportistëve elitarë, Kosova ka ngritur flamurin e saj në shtete të mëdha dhe me peshë globale, duke forcuar praninë dhe respektin ndërkombëtar. Sipas tij, këto arritje janë dëshmi e punës së vazhdueshme dhe e vizionit afatgjatë që sporti kosovar ka ndërtuar ndër vite.
“Ne po vazhdojmë të mbesim shtylla kryesore e imazhit pozitiv të Kosovës në botë edhe rezultatet edhe shumë sportistë që ishin këtu deri më tani por edhe ata më të mirët që do të zgjidhen pas meje e konfirmojnë që sporti po vazhdon tutje ndoshta edhe pak para politikës sepse kem arritur ta ngremë flamurin atje ku politika ende nuk po mundet, Brazil, Kinë, e dy herë në Rusi në kampionatin e Evropës e të Botës. Pika tjetër e rëndësishme që dua ta potencojë që ky çmim sivjet, për herë të parë po e ndjejë kënaqësinë më të madhe që nuk më përket vetëm mua por i përket stafit tim. Kam arritur ta ndërtojë një ekipë trajnerësh të cilët me të vërtetë po punojnë natë e ditë”, theksoi Kuka.
Për këto kontribute dhe për sukseset e vazhdueshme të xhudos së Kosovës, Kuka u shpall “Trajneri më i mirë i vitit 2025” nga Komiteti Olimpik i Kosovës, një vlerësim që konfirmon ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në sportin kosovar dhe në afirmimin ndërkombëtar të shtetit.




















