British Chamber of Commerce in Kosovo (BCCK) ka bërë thirrje për veprim të koordinuar kombëtar për forcimin e sigurisë hekurudhore në Kosovë, pas aksidenteve të fundit fatale në kryqëzimet hekurudhore. Dhoma thekson nevojën për modernizimin e infrastrukturës, instalimin e sistemeve aktive të mbrojtjes, harmonizimin e legjislacionit me standardet e BE-së dhe investime në trajnim profesional. BCCK nënvizon se përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mekanizmave financiarë si UK Export Finance, Kosova mund të përshpejtojë përafrimin me standardet evropiane dhe të ulë ndjeshëm numrin e aksidenteve.
Njoftimi i plotë:
Thirrje Urgjente për Forcimin e Sigurisë hekurudhore në Kosovë
Siguria hekurudhore në Kosovë kërkon veprim të koordinuar dhe të qëndrueshëm kombëtar pas aksidenteve të vazhdueshme në kryqëzime dhe mungesave të vazhdueshme në infrastrukturë krahasuar me standardet evropiane të sigurisë në zhvillim.
Ndërsa statistikat e konsoliduara zyrtare për aksidentet hekurudhore më të fundit ende nuk janë publikuar, raportimet e fundit lokale tregojnë për incidente të shumta në kryqëzime, përfshirë përplasje fatale. Në prill 2025, një përplasje treni me një automjet në Jagodë, Klina, rezultoi me një fatalitet dhe tre të lënduar. Një aksident i fundit në vitin 2026 pranë Kazermës Ushtarake “Adem Jashari” afër Prishtinës, ku treni goditi një automjet, përfundoi me fatalitetin e një anëtari të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Këto incidente theksojnë rreziqet e vazhdueshme në kryqëzimet hekurudho-rrugore dhe nënvizojnë nevojën urgjente për përmirësime strukturore.
Vlerësimet rajonale të mëparshme, përfshirë raportimet e Komuniteti i Transportit (Transport Community), tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e aksidenteve hekurudhore në Kosovë ndodhin në kryqëzime. Nga rreth 267 kryqëzime hekurudhore në të gjithë vendin, shumica mbeten të mbrojtura në mënyrë pasive, duke munguar barriera automatike, drita pulsuese ose sisteme paralajmëruese zanore. Kjo përqindje mbetet dukshëm më e lartë se në shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, ku një pjesë më e madhe e kryqëzimeve kanë sisteme aktive mbrojtjes.
Konteksti Rajonal dhe Evropian
Në të gjith Bashkimin Evropian, investimet e qëndrueshme në sistemet e sinjalizimit, teknologjitë e mbrojtjes nga treni, modernizimin e infrastrukturës dhe mbikëqyrjen rregullatore të pavarur kanë kontribuar në uljen e numrit të fataliteteve hekurudhore gjatë dekadës së fundit.
Sipas Agjencisë së Bashkimit Evropian për Hekurudha (ERA), sistemi hekurudhor i BE-së mbetet ndër sistemet më të sigurta globalisht të transportit tokësor. Drejtori Ekzekutiv i ERA-së, Josef Doppelbauer, ka deklaruar:
“Niveli i sigurisë së sistemit hekurudhor të BE-së mbetet shumë i lartë. Në një krahasim multimodal, hekurudha duket si mënyra më e sigurt e transportit tokësor në BE.”
Mbretëria e Bashkuar shpesh përmendet si një nga sistemet kryesore hekurudhore në Evropë në aspektin e performancës së sigurisë, e mbështetur nga:
Staf i certifikuar për role kritike të sigurisë në hekurudha, duke operuar nën sisteme të strukturuara kompetence dhe certifikimi
Sisteme Gjithëpërfshirëse të Menaxhimit të Sigurisë Hekurudhore (SMS)
Sisteme automatike të përparuara të mbrojtjes dhe të paralajmërimit të trenave
Mekanizma të pavarur për hetimin e aksidenteve
Korniza të forta të zbatimit rregullator
Modernizim i vazhdueshëm i infrastrukturës
Këto elemente tregojnë se angazhimi i qëndrueshëm institucional, sistemet e strukturuara të kompetencës profesionale dhe investimet e synuara teknologjike prodhojnë përmirësime të matshme të sigurisë.
Masat Prioritare për Kosovën
Për t’u përshtatur gradualisht me standardet evropiane dhe për të ulur fatalitetet, rekomandohen veprimet e mëposhtme:
Ndërhyrje të Menjëhershme për Sigurinë
Përmirësimi i kryqëzimeve me rrezik të lartë me barriera automatike, sinjale me dritë dhe paralajmërime zanore
Ngritja e një mekanizmi të prioriteteve kombëtare për përmirësimet e kryqëzimeve
Forcimi i zbatimit të rregullave të sigurisë rrugore në kryqëzimet hekurudhore
Implementimi i Sistemeve të Menaxhimit të Sigurisë Hekurudhore të strukturuara dhe të mbikëqyrura nga rregullatori
Përshtatja Ligjore dhe Rregullatore
Harmonizimi i legjislacionit hekurudhor me Direktivën e Sigurisë Hekurudhore të BE-së
Forcimi i kapaciteteve të pavarura për hetimin e aksidenteve
Përmirësimi i koordinimit institucional mes autoriteteve hekurudhore, rrugore dhe organeve të zbatimit të ligjit
Sipas legjislacionit të BE-së për sigurinë hekurudhore, ndërmarrjet hekurudhore duhet të zbatojnë Sisteme të certifikuara të Menaxhimit të Sigurisë (SMS), duke përfshirë menaxhimin e strukturuar të kompetencës për stafin kritik për sigurinë. Përshtatja progresive me standarde të tilla do të forconte ndjeshëm kuadrin e sigurisë hekurudhore të Kosovës.
Investime në Infrastrukturë dhe Teknologji
Modernizimi i sistemeve të sinjalizimit dhe implementimi në faza i Sistemit Evropian të Kontrollit të Trenave (ETCS)
Zhvillimi i sistemeve të centralizuara të kontrollit të trafikut dhe sistemeve moderne të ndërlidhjes
Zëvendësimi gradual i kryqëzimeve në nivel me rrezikshmëri të lartë me zgjidhje të ndara nga niveli (mbikalime ose nënkalime), aty ku teknikisht dhe financiarisht është e realizueshme
Ndërgjegjësimi Publik dhe Zhvillimi i Kapacitetit Profesional
Vendosja e programeve të trajnim profesional dhe certifikimit për personelin hekurudhor
Fushata kombëtare për ndërgjegjësimin mbi sigurinë hekurudhore
Integrimi i moduleve mbi sigurinë hekurudhore në programet arsimore
Përmirësimi i transparencës dhe raportimit publik të incidenteve hekurudhore
Financimi dhe Bashkëpunimi Ndërkombëtar
Kosova ka mundësi për të mobilizuar fonde dhe asistencë teknike përmes:
Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF)
Bankës Evropiane të Investimeve (EIB)
Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD)
Bashkëpunimit strategjik dypalësh Qeveri-me-Qeveri (G2G) me Mbretërinë e Bashkuar, e mbështetur nga mekanizma financimi si UK Export Finance (UKEF)
UK Export Finance (UKEF) ofron instrumente financiare të mbështetura nga qeveria për të mbështetur projekte ndërkombëtare që përfshijnë mallra dhe shërbime britanike. Mekanizmat e saj përfshijnë:
Lehtësi për Huamarrje Direkte, duke ofruar kredi afatgjata për blerësit e huaj që blejnë mallra dhe shërbime kapitale nga furnizuesit e Mbretërisë së Bashkuar
Garanci për Krediti dhe Huamarrje për Blerësit, duke u mundësuar bankave komerciale t’u japin hua blerësve ndërkombëtarë me mbështetje rreziku nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar
Garanci për Shërbime në Fazë të Hershme të Projektit (EPSG), e cila mund të financojë studime fizibiliteti në fazën e hershme, projektim, inxhinieri dhe shërbime teknike të ofruara nga firmat e Mbretërisë së Bashkuar para zbatimit të plotë të projektit
Në varësi të kritereve të pranueshmërisë së UKEF, duke përfshirë përfshirjen e mallrave, shërbimeve ose ekspertizës së Mbretërisë së Bashkuar, këto instrumente mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të projekteve të mëdha të infrastrukturës, të lehtësojnë modernizimin e hekurudhave të lidhura me eksportin dhe të mbështesin iniciativa të tilla si përmirësimet e lidhjes hekurudhore, përmirësimet e sinjalizimit dhe prokurimin e inventarit hekurudhor.
Iniciativat e Mbështetura nga BCCK
BCCK mbështet iniciativat e përafruara me prioritetet evropiane të transportit dhe lidhshmërisë, duke përfshirë:
Promovimin dhe lehtësimin e programeve të trajnimeve profesionale dhe certifikimeve profesionale
Vizitat studimore profesionale në Mbretërinë e Bashkuar për të shkëmbyer praktikat më të mira
Adresimin e lidhjeve ndërkufitare dhe atyre që mungojnë përmes përmirësimeve hekurudhore dhe platformave logjistike multimodale
Dixhitalizimin e sistemeve të transportit, duke përfshirë vendosjen e ERTMS dhe Sistemeve Inteligjente të Transportit (ITS)
Forcimin e sigurisë hekurudhore dhe sistemeve të menaxhimit operativ
Heqjen e kalimeve në nivel me rrezik të lartë dhe përmirësimin e infrastrukturës së sigurisë së transportit
Përmirësimin e aksesueshmërisë për personat me lëvizshmëri të reduktuar
Ulja e zhurmës së transporti hekurudhor
Krijimin e sinergjive me iniciativat e Facilitetit Connecting Europe (CEF)
Thirrje për Veprim të Koordinuar Kombëtar
Përmirësimi i sigurisë hekurudhore nuk është vetëm një çështje infrastrukturore – është në thelb një imperativ i sigurisë publike. Ulja e fataliteteve dhe lëndimeve të rënda kërkon angazhim të qëndrueshëm politik, investime të shënjestruara, forcim institucional dhe miratimin e praktikave më të mira evropiane të provuara.
Duke modernizuar kalimet në nivel, duke përmirësuar sistemet e sinjalizimit, duke forcuar kornizat rregullatore dhe duke investuar në sistemet e kompetencës profesionale, Kosova mund të ulë ndjeshëm shkallën e aksidenteve, të rrisë besimin e publikut dhe të afrohet progresivisht me standardet evropiane të sigurisë hekurudhore.
Kapaciteti njerëzor është thelbësor për sigurinë hekurudhore. Trajnimet profesionale, certifikimi i stafit hekurudhor kritik për sigurinë dhe zbatimi i sistemeve të strukturuara të menaxhimit të kompetencës sigurojnë që punonjësit të kenë aftësitë, njohuritë dhe autoritetin për të operuar në mënyrë të sigurt dhe për t’ju përgjigjur në mënyrë efektive rreziqeve. Sistemet Gjithëpërfshirëse të Menaxhimit të Sigurisë Hekurudhore (SMS) ofrojnë kornizën organizative për planifikimin, monitorimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm, duke integruar performancën njerëzore me teknologjinë dhe mbikëqyrjen rregullatore.
Çdo rrezik për punëtorët, udhëtarët dhe publikun e gjerë duhet të identifikohet, zbutet dhe kontrollohet në mënyrë efektive. Një sistem sigurie hekurudhore i strukturuar dhe i bazuar në standarde — që kombinon personel të trajnuar dhe të certifikuar, Sisteme të Menaxhimit të Sigurisë dhe procedura të forta operative — është thelbësor për mbrojtjen e jetëve dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm kombëtar.

















